Kurti: Termocentrali “Kosova B” është më i vjetër se ministrja jonë e Ekonomisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë mbajtur konferencë për media ku kanë folur për mundësinë e krizës energjetike në vend.

Kurti në fjalën e tij ka deklaruar se termocentralet e Kosovës e kanë të pamundur të prodhojnë dhe të plotësojnë të gjithë kërkesën për energji elektrike, andaj edhe janë të detyruar të importojnë nga jashtë vendit.

Ai ka thënë se çmimi i importit të rrymës është rritur deri në shtatë-fish, andaj edhe Qeveria do të ndihmojë në mbulimin me energji elektrike për të gjithë vendin.

Kurti ka fajësuar Qeveritë e kaluara për situatën në të cilën gjendet Kosova, ndërsa ka thënë se ndërtesat e termocentraleve janë të vjetra dhe punojnë me teknologji edhe më të vjetra.

“Në këtë dhomë jemi diku 30 veta përafërsisht, por personi më i moshuar mungon, është termocentrali ‘Kosova A’, i cili është 60 vjeçar. Asnjëri në këtë dhomë nuk jeni më të vjetër. Termocentrali ‘Kosova B’ është 40-vjeçar, pra më i vjetër se ministrja jonë e Ekonomisë”, ka thënë Kurti, gjë që ka bërë të qeshë të pranishmit në konferencë, përfshirë edhe ministren Rizvanolli.

Kurti ka thënë se teknologjia në këto termocentrale është edhe më e vjetër se vetë ndërtesat. Ai ka thënë se KOSTT-i e KEDS-i janë në ankth gjithashtu pasi që ngarkesa është shumë e madhe dhe mund të shkaktohen prishje.


Go to TOP