Eksperti i sigurisë kibernetike pas lajmeve të rreme për aksion në veri: Kosovo Online përfaqëson interesat e Radojçiqit

Eksperti i sigurisë kibernetike dhe kundërvënies propagandistike, Mentor Hoxhaj po e sheh si vazhdimësi të fushatës deziformuese të Serbisë lajmin e rremë të mediave serbe për një operacion të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Sipas tij, portali serb “Kosovo Online” përfaqëson interesat e Milan Radojçiqit.

Hoxhaj deklaroi se krejt kjo fushatë tendencioze e mediave serbe nuk është asgjë e re në kuadër të fushatës dezinformuese.

Ai tha se prapa kësaj propagande qëndrojnë inetresat ruse. Derisa shtoi se mirëpret reagimin e institucioneve të Kosovës karshi këtyre lajmeve të rrejshme.

“Kjo është një dezinformatë e lansuar nga ‘Kosovo Online’, për t’u pasuar pastaj nga Sputnik, Kurir, Alo, Telegraf etj. Pra, kemi një strategji, e cila është përdorur edhe në të kaluarën nga interesat apo fushatat dezinformuese, të njohura nga rusët… Unë kam pritur dhe pres reagim të fuqishëm nga institucionet tona vendore për të dezinformuar një lajm tendencioz. Në këtë rast shohim hapur se ‘Kosovo Online’ përfaqëson interesat e Radojçiqit, si pasojë e lajmeve për mundësinë e arrestimit të tij nga shteti i Kosovës, siç është i njohur në medie”, tha ai.

Eksperti i sigurisë kibernetike apelon të gjitha mediat në Kosovë që të jenë të kujdesshme dhe të mos bien pre e propagandës serbo-ruse, përmes shpërndarjes së këtyre lajmeve.

“Unë e shoh këtë si një vazhdimësi të fushatës dezinformuese, një strategji që shfrytëzohet për të lansuar lajmin e rrejshëm, për të shërbyer pastaj si një kampanjë dezinformuese nga mediat proruse dhe proserbe, si Kurir e për të vazhduar me ato serbe. Unë shpresoj që mediat tona nuk do të bien pre e këtyre lajmeve, kemi pasur në të kaluarën raste, kur mediat tona i janë referuar lajmeve nga mediat serbe, të cilat dihet se janë të kontrolluara nga qeveria”, tha Hoxhaj.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka demantuar disa mediume nga Serbia si puna e Kurir-it, të cilat kishin raportuar se këto janë planet e Policisë së Kosovës.

“Referuar shkrimeve dhe publikimeve të bëra sot 10/12/2021 nga disa mediume kryesisht serbe, se kinse njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë përforcuar në jug të Mitrovicës dhe po përgatitet të hyjnë në veri të Mitrovicës, ju informojmë se informacionet dhe shkrimet e tilla janë të pavërteta dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit publik”, kanë thënë nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se disa media në Serbi vazhdimisht publikojnë lajme të rreme karshi Kosovës, e të cilat shpërndahen sipas një zinxhiri të zakonshëm: Kosovo Online, Sputnik, Kurir, Alo, Telegraf.rs dhe Informer.

Go to TOP