Abdixhiku prezanton projektin madhor për sportin: Qendra e re kombëtare dhe stadiumi i ri kombëtar në Bërnicë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e mbylli ditën me një takim emocionues me tifozët e Kombëtares së Kosovës, Dardanët, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Në këtë takim të ngrohtë, Abdixhiku prezantoi projektin madhor për zhvillimin e sportit në Kosovë, me fokus kryesor futbollin.
Ai zbuloi detaje mbi ndërtimin e Qendrës së Re Kombëtare të Sportit në Bërnicë, një projekt që do të shtrihet në një hapësirë prej 64 hektarësh dhe do të përfshijë investime prej 120 milionë euro nga qeveria dhe po aq nga sektori privat. Në këtë qendër moderne, e para e këtij lloji në rajon, do të ndërtohet Stadiumi i Ri Kombëtar me kapacitet 25-30 mijë ulëse, Pallati i Ri Kombëtar me sallë për sporte me dorë, një pishinë olimpike, fusha tenisi, Gaming Hall, Fakulteti i Edukatës Fizike dhe një qendër komerciale e hotelierike.
Abdixhiku gjithashtu përmendi ndërtimin e pesë stadiumeve rajonale që plotësojnë standardet e kategorive UEFA 3 dhe 4, me një buxhet të planifikuar prej 60 milionë eurosh.
“Dardanët kanë arritur të ndërtojnë identitetin e sportit dhe të futbollit tonë. Kanë ndërtuar ëndrrën e Kombëtares së Kosovës dhe mijëra fëmijëve tanë,” theksoi Abdixhiku duke falënderuar tifozët për mikpritjen dhe mbështetjen.
Ky projekt, tashmë i nënshkruar nga Abdixhiku dhe Kryetari i Prishtinës, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës sportive në Kosovë. /Kosova.info/
