Zemaj: Katër vite dështimesh në shëndetësi nën qeverisjen e VV-së
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në sektorin e shëndetësisë, duke e cilësuar atë si një dështim të madh në menaxhim, reforma dhe përmbushjen e premtimeve.
Menaxhim i dobët dhe mungesë stabiliteti
Sipas Zemajt, gjatë këtyre katër viteve janë emëruar dhe shkarkuar katër ministra të Shëndetësisë, katër drejtorë të SHSKUK-së dhe disa drejtorë të spitaleve rajonale dhe klinikave duke krijuar një kaos menaxherial. Ai theksoi se pacientët janë përballur me mungesë të barnave esenciale, shiringave dhe materialeve higjienike, ndërsa projektet e renovimit kanë qenë të shoqëruara me afera korruptive.
Ai përmendi rastin e heqjes së një pllake që ka kushtuar 28 mijë euro dhe tenderin për Klinikën e Emergjencës, që sipas tij është rritur mbi 20 milionë euro për përfitime të caktuara.
Lista e barnave dhe skandalet në sistemin shëndetësor
Zemaj e quajti menaxhimin e listës esenciale të barnave si skandaloz, duke akuzuar për ndërhyrje dhe manipulime në interes të bizneseve private. Ai përmendi edhe skandale të rënda si vrasja para klinikës, djegia e një pacienti dhe mbetja e një foshnje në lavatriçe, duke theksuar mungesën e përgjegjësisë nga qeveria.
Premtime të parealizuara dhe dështime në legjislacion
Sipas tij, Qeveria Kurti nuk ka arritur të realizojë premtime kyçe, si Strategjia e re e Shëndetësisë, Sistemi Informativ Shëndetësor (SISH) dhe riorganizimi i shërbimeve shëndetësore. Po ashtu, ai theksoi se rrjetëzimi i mjekëve kosovarë në mërgatë dhe bashkëpunimi me odat profesionale kanë dështuar.
Në aspektin legjislativ, ai tha se për katër vite është miratuar vetëm një ligj – Ligji për Çmimin e Barnave – i cili ende nuk është zbatuar, ndërsa projektligji për sigurime shëndetësore është sjellë në fund të mandatit pa një plan të qartë. Ai përmendi edhe gjashtë projektligje të tjera të premtuara, por të parealizuara.
“Vetëm propagandë”
Në fund, Zemaj akuzoi VV-në se ka përdorur propagandën si strategjinë e saj kryesore duke dështuar të sjellë përmirësime konkrete në sektorin e shëndetësisë. /Kosova.info/
