VV fajëson Komunën e Prishtinës për dështimin e festivalit “Sunny Hill”

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë në një konferencë për media të mbajtur sot (e enjte) ia kanë hedhur fajin qeverisjes komunale për anulimin e “Sunny Hill” në Prishtinë dhe zhvendosjes së festivalit në Tiranë.

Asamblistët Nora Kelmendi dhe Gëzim Sveçla janë shprehur se nuk kanë qenë kundër asnjëherë mbajtjes së festivalit, por që kanë pasur disa vërejtje dhe kanë kërkuar dokumente shtesë nga kryetari i Komunës, Përparim Rama.

Nora Kelmendi theksoi që në seancë kanë kërkuar që dokumentacioni për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të jetë konform legjislacionit në fuqi.

“Siç e dini, pronat komunale mund të jepen në shfrytëzim në afate të ndryshme kohore, të cilat përcaktohen bazuar në legjislacionin në fuqi pra bazuar në ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme si dhe rregulloren e cila i përcakton edhe procedurat për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme. Ky afat mund të jetë një vit, 1 deri në 15 vjet, apo 15 deri në 99 vite. Afatet dhe dhënia në shfrytëzim përcaktohen përmes këtij ligji, procedurat bëhen përmes ankandit publik, shprehjes së interesit apo negociatave të kryetarit të Komunës. Kryetari i Komunës ka bërë negociata për dhënien në shfrytëzim për 99 vite”, ka thënë ajo.

Kelmendi tutje ka prezantuar të gjitha dokumentet që i janë dhënë asamblistëve, duke i konsideruar se ishin përgjysmë dhe nuk përkonin me kërkesën e tyre.

“Me datë 06.05.2020 nga zyra e Kuvendit përmes shkresës elektronike janë dërguar disa materiale sa i përket dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme duke u bazuar në negociatat e kryetarit Përparim Rama. Dokumentet të cilat u dërguan janë: Kërkesat e paraqitura nga palët e interesuara për marrjen në shfrytëzim. Parcela e cila kërkohej të jepej në shfrytëzim ishte më e madhe dhe të pandarë. Pra, kryetari i Komunës në bashkëpunim me kompaninë private nuk e ka parë të arsyeshme që kërkesën ta sjellin të re në Kuvendin Komunal, por tek ne e kanë sjell të vitit 2020. Dokumenti që kanë sjell ka qenë oferta e negociuar për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme, ofertë kjo e cila ishte nënshkruar nga kryetari si dhe nga përfaqësuesi i kompanisë private, “Sunny Hill”, Alban Kastrati”, shtoi ajo.

“Përfaqësuesi ishte i nënshkruar, mirëpo gjatë hulumtimeve tona e kemi parë që në ARBK ky përfaqësues nuk figuron. Dokumenti tjetër është certifikata e pronës dhe kopjet e planit, këto janë për dy parcela. Parcela që fillimisht ka qenë në kërkesë tani është ndarë në dy parcela të tjera të cilat gjenden në Bërnicë të Poshtme. Pra, këto parcela nuk përkojnë me kërkesë. Më vonë gjatë insistimit tonë, ne kemi kërkuar dokumente tjera që duhet të ishin në seancë dhe që i kërkon ligji dhe rregullorja në fuqi. Dokumentet të cilat i kanë sjell gjatë seancës janë, projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik. Ky projekt i paraqitur nuk kishte asnjë informatë të detajizuar ashtu siç kërkohet me rregullore. Gjithashtu është paraqitur edhe certifikata e biznesit ku nuk figuronte përfaqësuesi i autorizuar. Më vonë e kanë sjell edhe autorizimin i cili ishte pa i noterizuar, si dhe vërtetimin që nuk ka obligime tatimore, vërtetim ky që ishte me afat të skaduar. Derisa për qarkullimin bankar për vitin paraprak asnjëherë nuk e kemi pranuar gjatë seancës, apo më vonë këtë dokument. Të gjitha këto dokumente të sjell nga ekzekutivi ishin dokumente gjysmake dhe mendoj që janë sjell vetëm sa për sy e faqe”, vazhdoi më tej Kelmendi.

“Ne si grup i LVV-së kemi kërkuar se dokumentacionin për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të jetë konform legjislacionit në fuqi dhe të kemi transparencë të tërë procesin si dhe në vendimet e marra, sepse të gjithë duhet të jemi korrekt me gjithë publikun e sidomos me qytetarët e Prishtinës të cilët na kanë përzgjedhur si përfaqësues në këtë Kuvend. Nuk kemi qenë kundër festivalit, vërejtjet tona kanë qenë vetëm sa i përket procedurave të zhvilluara në dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetëve për Sunny Hill”, tha ajo krejt në fund.

Foto: Screenshot/Facebook

Në anën tjetër asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, e akuzoi kryetarin e Komunës për dështimin e “Sunny Hill”, pasi shtoi se ka kërkuar që të kompletohet dokumentacioni.

“Në seancë e kemi shprehur që dokumentacioni nuk është i kompletuar, kjo fare lehtë mund të vërtetohet përmes zgjerimeve të cilat janë në faqen e Komunës. Kemi kërkuar saqë e kemi lutur kryetarin ta tërheq si pikë të rendit të ditës, ta plotësojë dokumentacionin dhe pastaj nëse është nevoja të na thërret në seancë të jashtëzakonshme dhe ta votojmë unanimisht vendimin për ndarjen e parcelës. Vërejtjet tona janë bërë në tri drejtime: në aspektin procedural, kohëzgjatja e kontratës dhe qasja për festivale tjera. Në kontratën që na është dorëzuar neve dhe që e kemi këtu është shprehur se festivalet e tjera të karakterit të ngjashëm nuk lejohet mbajtja e asnjë evenimenti asnjë ngjarje në atë parcelë”, tha Sveçla.

“U vërejt qart se fajtor për dështimin e festivalit Sunny Hill ndodhet në këtë objektin mbrapa. Mos-kompletimi i dokumentacionit dhe tendenca për t’ia hudhur fajin tjetrit e paraqet më së miri këtë dështim. I kemi ofruar kryetarit bashkëpunim që të kompletohet dokumenti. U dëshmua që nuk ishin të interesuar për bashkëpunim. Është e padrejtë ajo që po i bëhet rinisë së kryeqytetit tonë për mënyrën se si është vendosur që ky festival të bartet në Tiranë, ka mundur fare lehtë të bëhet në Prishtinë, me një kërkesë drejtuar Ministrisë së Shërbimeve Publike për shfrytëzim të përkohshëm kjo gjë do të ishte rregulluar dhe festivali do të mbahej njësoj si vitet paraprake”, tha mes tjerash ai. 

Go to TOP