Vrau djalin e axhës në Batllavë dhe u dënua me 17 vjet, familja e të vrarit kërkon burgim të përjetshëm

Familja e të ndjerit G.B. dhe përfaqësuesi i tyre, avokati Florim Shefqeti kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit që të ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ashtu që të akuzuarit Baki Brahimi për vrasje të djalit të axhës së tij të i shqiptohet dënim me burgim të përjetshëm ose çështja të kthehet në rivendosje.

Brahimi po akuzohet se në tetor të vitit 2021, pas mosmarrëveshjeve paraprake me djalin e axhës së tij lidhur me shfrytëzimin e një prone, në mënyrë mizore ai e kishte privuar të njëjtin nga jeta në fshatin Batllavë të Podujevës.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, Brahimin pas pranimit të fajësisë, e ka dënuar për veprat penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit, për ‘Vrasje e rëndë’ dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 16 vite dhe për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të armëve’ dënimin në kohëzgjatje prej 1 vit, duke i shqiptuar dënimin unik prej 17 vite e 10 muaj burgim.

Kundër këtij aktgjykimi ka parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të vendimit mbi sanksionin penal.

Të njëjtit kanë pretenduar se gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar të gjitha rrethanat renduese duke konsideruar se ka edhe rrethana të tjera që të akuzuarit të i shqiptohet dënim më i ashpër.

Kurse, Prokuroria e Apelit, përmes një parashtrese kanë kërkuar që të aprovohet ankesa e prokurorisë dhe të refuzohet ankesa e mbrojtësit së të akuzuarit.

Në këtë seancë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Shefqeti ka thënë se mbeten pranë ankesës së përpiluar lidhur me vendimin mbi dënimin.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë nuk ka marrë për bazë shumë rrethana të cilat kanë shumë ndikim në lartësinë e dënimit, duke thënë që familja e të ndjerit kërkon burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarit Baki Brahimi.

‘‘Gjykata Themelore ka bërë listimin e rrethanave rënduese por në asnjë rast nuk ka bërë përshkrimin e tyre se cilat dhe sa kanë ndikim në lartësinë e dënimit’’,  tha avokati Shefqeti.

Ai tha se gjykata nuk ka bërë vlerësimin e duhur të rrethanave rënduese në raport me mënyrën e paraqitjes së tyre dhe peshën e tyre në raport me lartësinë e sanksionit penal të shqiptuar.

Kjo duke mos vlerësuar drejtë sipas tij, intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të këtyre veprave, mënyrën e kryerjes së veprës penale, rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, shkallen e lartë të të akuzuarit në pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale, shkallën e dëmit të shkaktuar, motivet e kryerjes së veprës penale.

‘‘Shkalla e lartë e dashjes i cili fillimisht e godet me kombi duke e i shkaktuar lëndime të mëdha e duke e hedhur ne gropë, dhe pastaj del nga kombi e shkon te i ndjeri dhe me dashje e duke e ditur që i ndjeri është duke përjetuar dhimbje të mëdha, e godet edhe dy herë me revole në kokë’’, shtoi posaçërisht avokati Shefqeti.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Brahimi, avokati Azem Ejupi ka thënë se mbetet pranë ankesës së ushtruar duke shtuar se për të mbrojturin e tij ka kërkuar një ekzaminim mjekësor, për të cilën tha se nuk është aprovuar, kërkesë kjo sipas tij e parashtruar ngase sipas bisedave me të akuzuarin, i njëjti ka paraqitur rrezikun nga viktima duke thënë se është përcjellë në çdo hap.

Andaj, sipas tij i akuzuari Brahimi e ka kryer veprën penale nën ndikimit e deluzioneve paranoide, duke kërkuar kështu dënim më të butë për të mbrojturin e tij.

Edhe i akuzuari Brahimi në këtë seancë para trupit gjykues të përbërë nga Afërdita Bytyqi (kryetare), Xhevdet Abazi (gjykatës referues) dhe Tomislav Petroviq (anëtare), ka thënë se ‘unë kam qenë çdo herë i rrezikuar prej tij, por jam i penduar thellësisht për veprën që e kom krye e ju lus për një dënim sa më të butë’’.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 13 prill 2022, Baki Brahimi akuzohet se më 17 tetor 2021, rreth orës 12:50, në fshatin Gërdofc të Komunës së Podujevës, pas një mosmarrëveshje verbale lidhur me shfrytëzimin e livadhit, përkatësisht kullotës së bagëtive me të dëmtuarin, tani të ndjerin G.B., i pandehuri nga oborri i shtëpisë së tij familjare e cila kufizohet me oborrin e të ndjerit, thuhet se me armë të zjarrit-pistoletë ka shtënë një fishek në drejtim të shtëpisë së të dëmtuarit tani të ndjerë, i cili ka përfunduar në derën e hyrjes së shtëpisë.

Me këtë, sipas aktit akuzues i njëjti ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve dhe dëm pasuror andaj akuzohet se ka kryer veprën penale ‘shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ nga neni 356 paragrafi 1 i KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se më 18 tetor 2021, rreth orës 8:15 në fshatin Batllavë të Komunës së Podujevës, në mënyrë mizore dhe me qëllim të përfitimit të dobisë materiale ka privuar nga jeta djalin e xhaxhait të tij, tani të ndjerin G.B., për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake në mes veti, në atë mënyrë që sipas aktit akuzues derisa i dëmtuari me biçikletën e tij kishte shkuar në punë nga fshati Gërdofv në fshatin Batllavë, i pandehuri me veturën e tij të markës ‘Kombi VË’, e kishte goditur në anën e djathtë të veturës dhe e kishte gjuajtur në tokë.

Në vazhdim thuhet se pas diku 20 m i akuzuari e kishte ndaluar veturën dhe është kthyer deri tek i dëmtuari i cili pas goditjes ka përfunduar në kanal të thellë rreth 5 m, i është ofruar dhe nga arma e zjarrit të dëmtuarin i cili ishte i goditur e kishte gjuajtur në kokë me 2 fishekë, me ç’rast i dëmtuari nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë, Brahimi po akuzohet se ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’ nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 dhe 1.6 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Brahimi akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 18 tetor 2021 në posedim të tij të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për armë, ka mbajtur një armë zjarri – pistoletë të markës ‘Bareta cal. 7.65’, me të cilën i akuzuari ka kryer veprat penale të lartcekura, ndërsa të cilin me një karitatorë të zbarët i akuzuari e kishte dorëzuar në polici pas kryerjes së veprës penale kur edhe është dorëzuar vet.

Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Go to TOP