Tre ushtarë izraelitë vriten pranë kufirit me Egjiptin

Tre ushtarë izraelitë janë vrarë nga një oficer egjiptian i sigurisë gjatë shkëmbimit të zjarrit në anën izraelite të kufirit.

Forcat e armatosura të të dyja vendeve thonë se po hetojnë së bashku incidentin e pazakontë, shkruan BCC.

Nga Egjipti thonë se një oficer i tyre kaloi në Izrael ndërsa ndiqte trafikantët e drogës.

Ushtria izraelite ka thënë se të shtënat supozohej se kishin lidhje me një operacion kontrabande droge që e kishte penguar gjatë natës.

Sipas ushtrisë, dy ushtarë izraelitë – një burrë dhe një grua – të vendosur në një vend të largët përgjatë kufirit u qëlluan për vdekje herët të shtunën në mëngjes.

Trupat e tyre u zbuluan pasi një oficer i lartë nuk ishte në gjendje t’i kontaktonte me radio.

Disa orë më vonë, pas një operacioni kërkimi, sulmuesi i supozuar u rrethua dhe pati një shkëmbim zjarri, thotë ushtria izraelite.

Një ushtar i tretë u vra, së bashku me personin e armatosur, për të cilin thuhet se ishte një polic egjiptian. Një tjetër ushtar u plagos në atë shkëmbim zjarri.

Go to TOP