Konservatorët evropianë në SHBA: Ukraina ka rëndësi, por edhe Irani
Ndërsa udhëheqësit e NATO-s përgatiten të mblidhen për samitin e javës së ardhshme, një grup ligjvënësish të lartë konservatorë evropianë vizituan Uashingtonin me një mesazh që shpresojnë se do të gjejë jehonë brenda administratës së presidentit amerikan, Donald Trump: Mbështetja për Ukrainën dhe shqetësimi për Iranin nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.
Kjo ndërhyrje vjen në një moment delikat për aleancën transatlantike.
Pas sulmeve të fundit ushtarake të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, zhgënjimi i Trumpit me disa aleatë evropianë për hezitimin e tyre që të mbështesin aspekte të caktuara të operacionit amerikan ka shtuar një burim të ri tensionesh në një aleancë që tashmë po përballet me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Ky zhgënjim u artikulua publikisht nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili javën e kaluar në Bahrejn argumentoi se Irani paraqet “një kërcënim edhe më të madh për Evropën” sesa për SHBA-në, ndërsa kritikoi aleatët që “na e vështirësuan punën” lidhur me kërkesat amerikane për përdorimin e bazave ushtarake gjatë operacionit.
Rubio paralajmëroi se mosmarrëveshje të tilla mund të hedhin “një hije të vërtetë mbi aleancën e NATO-s”.
“Shpresoj që [kjo] të mund të rregullohet. Do ta shohim”, tha Rubio kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë më 25 qershor.
Në këtë sfond, anëtarët e Grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) argumentojnë se perceptimi i përhapur se Evropa i jep përparësi Ukrainës, ndërsa SHBA-ja përqendrohet te Irani, është mashtrues.
“Ukraina është shumë e rëndësishme për ne, dhe po ashtu edhe Irani”, i tha Radios Evropa e Lirë më 2 korrik Assita Kanko, nënkryetare e Grupit ECR, pas takimeve të zhvilluara në Uashington.
Komentet e saj pasqyruan atë që disa anëtarë të delegacionit e përshkruan si qëllimin kryesor të vizitës së tyre: të parandalojnë që mosmarrëveshjet lidhur me prioritetet rajonale të minojnë unitetin më të gjerë transatlantik.
Refuzojnë zgjedhjen e rreme mes Ukrainës dhe Iranit
Delegacioni evropian — ku bënin pjesë Kanko, Patryk Jaki, Adam Bielan, Gheorghe Piperea dhe Stephen Bartulica — zhvilloi këtë javë takime në Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit, Pentagon dhe në institute kryesore konservatore të studimeve.
Përfundimi i tyre ishte se Uashingtoni dhe kampi konservator evropian ndajnë më shumë pika të përbashkëta sesa supozojnë shumë vëzhgues.
“Nuk duam të lejojmë që marrëdhënia transatlantike të shkatërrohet, sepse kemi shumë interesa të përbashkëta”, u tha Jaki gazetarëve.
Sipas anëtarëve të delegacionit, këto interesa shtrihen shumë përtej Ukrainës.
Kanko kundërshtoi drejtpërdrejt sugjerimet se Evropa po i anashkalon kërcënimet që burojnë nga Irani.
“Irani në fakt ka grupe përfaqësuese në Evropë, që kryejnë sulme edhe në vendin tim, në Belgjikë”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë, duke pretenduar se rrjetet e lidhura me Vëllazërinë Myslimane në Bruksel financohen përmes grupeve të lidhura me Iranin.
“Nuk mund të themi thjesht se po luftojmë një luftë dhe jo tjetrën. Duhet të jemi në gjendje t’i mbrojmë qytetarët tanë nga terrorizmi, nga islami radikal, dhe duhet t’i mbrojmë edhe nga ndikimi rus.”
Ajo theksoi gjithashtu se të dyja konfliktet janë të ndërlidhura nga pikëpamja strategjike.
“Irani ka luajtur një rol të rëndësishëm në agresionin rus kundër Ukrainës”, tha ajo, duke iu referuar furnizimit të Rusisë me dronët Shahed nga Teherani.
Në vend që të jenë prioritete konkurruese, ligjvënësit argumentuan se Ukraina dhe Irani përfaqësojnë fronte të ndryshme të së njëjtës sfidë më të gjerë të sigurisë me të cilën përballen demokracitë perëndimore.
Bielan pranoi se evropianët, për shkak të gjeografisë, natyrshëm e vendosin Ukrainën më lart në listën e prioriteteve.
“Për ne evropianët, Ukraina është më lart”, tha ai. “Por këtë bëjnë aleatët. Ata bashkëpunojnë për shumë çështje në pjesë të ndryshme të botës.”
Përpjekje për të zbutur tensionet brenda NATO-s
Vizita e delegacionit synonte gjithashtu ta siguronte administratën e Trumpit se shumë konservatorë evropianë mbështesin thirrjet e Uashingtonit për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje dhe ndarjen më të madhe të barrës.
Jaki tha se presioni i administratës ndaj aleatëve evropianë kishte sjellë tashmë rezultate.
“Qëllimi kryesor i këtij konflikti ishte t’i inkurajonte partnerët e BE-së të shpenzojnë më shumë para… dhe kemi arritur njëfarë suksesi”, tha ai, duke shtuar se diskutimet e ardhshme mund të përfitonin nga “një gjuhë më e butë”.
Ligjvënësit theksuan vazhdimisht se Evropa duhet ta forcojë — e jo ta zëvendësojë — aleancën e udhëhequr nga SHBA-ja.
Kanko argumentoi se prokurimi i ardhshëm evropian në fushën e mbrojtjes duhet të mbetet i integruar ngushtë me SHBA-në. “Ne jemi një ekip për teknologjinë, mbrojtjen dhe sigurinë”, tha ajo.
Bielan shprehu gjithashtu optimizëm për lidhje më të ngushta dypalëshe në fushën e mbrojtjes, duke thënë se diskutimet për krijimin e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Poloni kanë qenë “shumë të rëndësishme” dhe se ai shpreson për zhvillime pozitive në të ardhmen e afërt.
Sa i përket vetë Ukrainës, Bielan tha se zyrtarët amerikanë kanë shprehur optimizëm të kujdesshëm se një armëpushim mund të arrihet ende gjatë vitit 2026.

“Ne dëgjuam… se ata janë mjaft optimistë se mund të arrijmë një armëpushim këtë vit”, tha ai, duke shtuar se administrata aktuale vazhdon ta mbështesë fuqishëm Ukrainën dhe se e ka vlerësuar pozitivisht takimin e fundit të Trumpit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Megjithëse siguria dominoi diskutimet, anëtarët e ECR-së promovuan gjithashtu një agjendë më të gjerë politike të përqendruar në forcimin e partneritetit transatlantik.
Jaki kritikoi atë që e përshkroi si ndjekjen nga Evropa të “autonomisë strategjike”, nëse kjo do të nënkuptonte zvogëlimin e ndikimit amerikan, duke argumentuar në vend të kësaj për bashkëpunim më të ngushtë në tregti, inteligjencë artificiale dhe konkurrueshmëri ekonomike.
Pavarësisht këtyre temave më të gjera, delegacioni iu rikthye vazhdimisht një argumenti qendror: Mosmarrëveshjet për Iranin nuk duhet ta errësojnë përputhjen më të madhe strategjike midis Evropës dhe SHBA-së.
A mund ta kapërcejë NATO-ja këtë ndarje?
Nëse ky mesazh do të ketë sukses, kjo mund të bëhet një nga pyetjet përcaktuese që do të rëndojnë mbi samitin e NATO-s.
Kristen Taylor, drejtoreshë e asociuar e Nismës për Siguri Transatlantike në Këshillin Atlantik, tha se beson se aleanca po përballet me një sfidë të vërtetë politike.
“Ekziston rreziku që samiti të mbetet në hije nga një administratë Trump më e zhgënjyer nga hezitimi evropian për t’u përfshirë në konfliktin amerikan me Iranin sesa nga prioritetet e samitit, përkatësisht përparimi i vërtetë i aleatëve evropianë në shpenzimet për mbrojtje, prodhimin e mbrojtjes dhe mbështetjen për Ukrainën”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë.
Taylor argumentoi se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përballet me detyrën e vështirë për ta balancuar fokusin e vazhdueshëm të Evropës te Ukraina me theksin që Uashingtoni i vë Iranit.
“Kapërcimi i këtij hendeku do të kërkojë që SHBA-ja të riafirmojë mbështetjen e saj të vërtetë për Ukrainën dhe që aleatët evropianë të shprehin mbështetje më të madhe për veprimet amerikane ndaj Iranit”, tha ajo.
Analistët e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) dhanë një vlerësim po aq të nuancuar gjatë një konference për media, në prag të samitit të NATO-s javën e ardhshme.
Max Bergmann, drejtor i Programit për Evropën, Rusinë dhe Euroazinë dhe Qendrës Stuart në CSIS, tha se tensionet aktuale për Iranin përbëjnë një sfidë të rëndësishme për aleancën, por kujtoi paralele historike, duke i krahasuar mosmarrëveshjet e sotme me ndarjet e shkaktuara nga Lufta e Irakut në vitin 2003.
Ai argumentoi se mosmarrëveshja për Iranin ka thelluar tensionet më të gjera që burojnë nga skepticizmi i administratës Trump ndaj NATO-s.
Bergmann tha se shumë qeveri evropiane u gjendën politikisht të ekspozuara pasi u përfshinë në mënyrë të tërthortë në konfliktin me Iranin pa konsultime paraprake nga Uashingtoni, ndërkohë që opinioni publik në pjesën më të madhe të Evropës ishte kundër përfshirjes.
Megjithatë, ai sugjeroi se udhëheqësit evropianë ka të ngjarë të shmangin shprehjen publike të këtyre pakënaqësive gjatë samitit të NATO-s, në përpjekje për të ruajtur unitetin e aleancës.
Seth Jones, president i Departamentit të Mbrojtjes dhe Sigurisë në CSIS dhe mbajtës i Katedrës Harold Brown, argumentoi se, pavarësisht tensioneve politike, themelet ushtarake të aleancës mbeten të forta.
Ai përmendi bashkëpunimin e vazhdueshëm të ngushtë mes ushtrive dhe shërbimeve të inteligjencës të NATO-s dhe tha se shqetësimet për rimëkëmbjen afatgjatë ushtarake të Rusisë nënkuptojnë se aftësitë konvencionale dhe bërthamore të SHBA-së mbeten thelbësore për parandalimin në Evropë.
Jones veçoi gjithashtu si çështje që duhen ndjekur praninë e ardhshme ushtarake amerikane në Evropë dhe vendimet evropiane për prokurimin e gjeneratës së ardhshme të sistemeve të mbrojtjes.
Ky realitet themelor ndihmon për të shpjeguar pse konservatorët evropianë, që mbërritën në Uashington, u përpoqën ta paraqesin debatin për Iranin jo si burim përçarjeje, por si pjesë të një agjende më të gjerë të përbashkët të sigurisë, krahas Ukrainës.
Mesazhi i tyre në prag të samitit të NATO-s është i thjeshtë: Evropa nuk e ka braktisur Ukrainën, por as nuk e nënvlerëson kërcënimin që paraqet Irani.
Nëse aleanca arrin t’i pranojë njëkohësisht të dyja këto prioritete, argumentojnë ata, mund të jetë në gjendje të kapërcejë një nga debatet më përçarëse politikisht me të cilat përballen marrëdhëniet transatlantike.
