Pritet të hapet së shpejti qendra për personat me autizëm dhe sindromën Down në kryeqytet

Ky është objekti i ri i qendrës për personat me autizëm dhe sindromën down.

E për pak muaj pritet të bëhet edhe hapja e saj. Në kryeqytet deri më tani ka munguar një qendër e pikëtakimit për rehabilitimin dhe trajtimin e këtyre personave.

Adelinë Sahiti, drejtoreshë e mirëqenies sociale në komunën e Prishtinës thotë se një gjë e tillë është ekspertizë e aplikuar në shtetin Turk.

“Qendren për rehabilitimin e fëmijëve dhe personave me autizëm dhe sindromen Down jemi gati për ta funksionalizuar tashmë kemi marrë dhe qelsat si kryeqytet nga TIKA, organizata e cila e ka bë ndërtimin dhe inventarizimin e e kësaj qendre e cila do të jetë model jo vetëm për kryeqytetin po do të jetë model edhe për ballkanin sepse nuk ka një qendër të tillë që këta persona të marrin terapinë e nevojshme, kjo është ekspertizë e cila është e aplikueshme në shtetin Turk dhe po shpresojmë që brenda këtyre muajve të verës do të bëhet hapja e kësaj qendre”, thotë Sahiti.

Tutje, Sahiti thotë se janë në dijeni se janë vonuar në këtë proces, por e gjitha kjo sipas saj ka një qëllim.

“Jemi në diskutime edhe me dy shoqata por edhe të tjera për të pa se cilat janë mënyrat për ta menaxhu këtë qendër… Jemi pak vonë me kohën por duam që gjërat të jenë më të vërtetë mire”, shtoi ajo.

Ndërkohë, shoqata “Autizmi” në Prishtinë po e mirëpresin një gjë të tillë tash e sa kohë.

“Jemi bashkëfinancues me qendrën po presim qe 1-2 vite që qendra të hapet, janë modulet e fundit dhe marrëveshja që të nënshkruhet, të gjithë po e presin këtë”, deklaroi Hatixhe Hoxha, mbikqyrëse e Qendrës “Autizmi” në Prishtinë.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar drejtoria për mirëqenie sociale në komunën e Prishtinës ndau në 24 organizata shumën prej 400 mijë euro. E njëra prej organizatave që ka përfituar mjete ishte edhe shoqata “Autizmi”./teve1

Go to TOP