Ibrahimoviq shpërthen ndaj Ronaldos

Ish-sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimoviq, ka kritikuar ashpër rolin e Cristiano Ronaldos në Kombëtaren e Portugalisë gjatë Kupës së Botës 2026, duke vlerësuar se 41-vjeçari nuk duhet të jetë më zgjedhja e parë në repartin ofensiv.

Portugalia siguroi kualifikimin në fazën e 1/8 së finales pas fitores dramatike 2-1 ndaj Kroacisë. Ronaldo realizoi golin e barazimit nga pika e bardhë, ndërsa u zëvendësua në minutën e 80-të. Golin e fitores e shënoi Gonçalo Ramos, i cili u aktivizua nga stoli.

Pavarësisht se mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit të kombëtareve me 146 gola në 232 paraqitje për Portugalinë, Ronaldo vazhdon të jetë objekt debatesh për rolin e tij në skuadrën e drejtuar nga Roberto Martínez.

Sipas Ibrahimoviqit, insistimi për ta aktivizuar Ronaldon si titullar nuk i shërben më ekipit.

“Tifozët e Portugalisë duhej ta prisnin këtë situatë. Nuk mund të fitosh një Kupë Bote në vitin 2026 me një Cristiano Ronaldo 41-vjeçar që udhëheq sulmin, sidomos kur Gonçalo Ramos është në stol dhe hyn në lojë për të shënuar”, tha Ibra.

Suedezi shkoi edhe më tej në kritikat e tij, duke theksuar se reputacioni i Ronaldos po ndikon më shumë se forma e tij aktuale.

“Ky nuk është më lidership legjendar. Është ego që po e mban ekipin peng. Ronaldo ka humbur prekjen dhe lëvizshmërinë. Tani ai qëndron kryesisht brenda zonës dhe aura e tij po e mban më shumë se këmbët. Vazhdimi i aktivizimit të tij si titullar është një çmenduri e udhëhequr nga nostalgjia”, theksoi Ibra.

Portugalia do të përballet me Spanjën në fazën e 1/8 së finales, në një duel iberik që do të zhvillohet në Dallas. Sipas raportimeve, Ronaldo pritet ta nisë sërish ndeshjen nga minuta e parë, pavarësisht kritikave të vazhdueshme.


Go to TOP