Sllovakia voton në referendum edhe për pensionet e përjetshme
Qytetarët e Sllovakisë i janë drejtuar sot kutive të votimit në referendumin e dhjetë kombëtar që nga pavarësia e vendit në vitin 1993, ku po vendosin për dy çështje të rëndësishme: heqjen e pensioneve të përjetshme për zyrtarët e lartë shtetërorë dhe rikthimin e institucioneve kyçe për luftën kundër krimit të organizuar.
Propozimet përfshijnë heqjen e përfitimeve të përjetshme për disa zyrtarë kushtetues, përfshirë kryeministrin, si dhe rikthimin e Zyrës së Prokurorit Special dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit, të cilat u shfuqizuan nga qeveria në vitin 2024.
Referendumi është iniciuar nga partia opozitare jashtëparlamentare “Demokratët”, e cila ka arritur të mbledhë numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për mbajtjen e tij. Ndërkohë, një propozim i tretë për shkurtimin e mandatit të parlamentit është refuzuar nga presidenti Peter Pellegrini, me arsyetimin se bie ndesh me Kushtetutën.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, procesi i votimit ka nisur pa probleme në shumicën e qendrave të votimit dhe deri më tani nuk janë raportuar incidente. Megjithatë, pjesëmarrja në orët e para është raportuar e ulët në disa zona të vendit.
Zyrtarët zgjedhorë paralajmërojnë se sezoni i pushimeve verore mund të ndikojë në nivelin e pjesëmarrjes, ndërsa për vlefshmërinë e referendumit kërkohet që të votojnë më shumë se gjysma e elektoratit dhe që secili propozim të marrë shumicën e votave të vlefshme.
