Të shtëna me armë në koncertin e Ava Max në Filadelfia, këngëtarja shqiptare reagon e traumatizuar në rrjetet sociale

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Ava Max, është duke mbajtur së fundmi një tur mbarëkombëtar me koncerte.

Pak ditë pasi performoi në një koncert gjigant në Londër të Mbretërisë e Bashkuar, ajo u drejtua për në Filadelfia të ShBA-së, për koncertin e saj të radhës me rastin e 4 korrikut.

Mirëpo jo gjithçka ka shkuar siç duhet, pasi të shtëna armës janë dëgjuar shumë pak minuta pasi këngëtarja shqiptare ka përmbyllur koncertin e saj.

“Jam e shkatërruar nga të shtënat që ndodhën pas shfaqjes sonë Filadelfia mbrëmë. Nuk e di se çfarë po ndodh me këtë vend. Kudo që jemi ne jemi të tmerruar. Jemi të traumatizuar. Kjo duhet të marrë fund. Unë lutem që të gjithë të qëndrojnë të sigurt në shfaqjet dhe ngjarjet e ardhshme, me gjithë dashurinë time”, shkroi Ava Max në Instagram.

I dyshuari që ka gjuajtur me armë ende nuk është identifikuar dhe dërguar në mbajtje, shkruan NewsWeek.

Koncerti “Wawa Welcome America” u zhvillua në Benjamin Franklin Parkway më 4 korrik me të ftuar specialë muzikorë. Në të kaluarën, Boyz II Men, Jennifer Hudson, Nicki Minaj, Elton John dhe Patti Labelle kanë performuar. Këtë vit, së bashku me Ava Max, të ftuar ishin edhe Jason Derulo dhe Tori Kelly.

Kryetari i bashkisë së Filadelfias Jim Kenney shkroi në Twitter për të shtënat e 4 korrikut: “Të shtënat e sotme në Parkway janë një incident vërtet i tmerrshëm për qytetin tonë. Jam thellësisht mirënjohës që dy oficerët nuk u plagosën rëndë dhe ata janë trajtuar dhe janë liruar nga spitali”.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të luftuar dhunën me armë në qytetin tonë – duke përfshirë marrjen e një numri rekord të armëve nga rrugët – por ne po bëjmë një betejë të vështirë. Ne po i lutemi ligjvënësve që të na ndihmojnë të ndalojmë fluksin e armëve në vendin tonë”, vazhdoi ai. 

Foto: Ava Max/Instagram

Go to TOP