Drita eliminohet nga Champions League që në raundin e parë

Kampionia e Kosovës, Drita, i ka dhënë fund aventurës në Champions League që në raundin e parë kualifikues, pasi është eliminuar nga Kauno Zalgirisi i Lituanisë.

Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë, të zhvilluar javën e kaluar, skuadra gjilanase është mposhtur të martën mbrëma me rezultat 3:2 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kështu, lituanezët kanë avancuar tutje me rezultat të përgjithshëm 4:3.

Mysafirët kanë kaluar të parët në epërsi në minutën e nëntë, kur Vykintas Slivka ka realizuar me një goditje të fortë nga skaji i zonës, pas asistimit të Amine Benchaib.

Drita ka reaguar shpejt dhe e ka barazuar në minutën e njëzet. Liridon Balaj ka asistuar për Igball Jasharin, i cili ka shënuar nga afërsia për rezultatin 1:1, me të cilin është mbyllur edhe pjesa e parë.

Në fillim të pjesës së dytë, kampionët e Kosovës kanë përmbysur gjithçka. Në minutën e pesëdhjetë e tretë, pas një goditje nga këndi të ekzekutuar nga Liridon Balaj, Arb Manaj ka realizuar me një goditje të saktë për epërsinë 2:1.

Megjithatë, avantazhi i Dritës nuk ka zgjatur deri në fund. Në minutën e tetëdhjetë e dytë, Slivka ka shënuar golin e dytë personal, duke barazuar rezultatin në 2:2 me një goditje me kokë nga afërsia.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt vazhdimeve, drama ka kulmuar në kohën shtesë. Në minutën e parë shtesë, arbitri fillimisht ka refuzuar kërkesat e mysafirëve për penallti pas një prekje të topit me dorë nga Vesel Limaj.

Pas ndërhyrjes së sistemit VAR, gjyqtari e ka rishikuar rastin dhe ka vendosur të akordojë penallti për Kauno Zalgirisin në minutën e tretë të kohës shtesë.

Nga pika e bardhë është treguar i saktë Amine Benchaib, i cili në minutën e katërt të shtesës ka shënuar për rezultatin përfundimtar 3:2 në favor të skuadrës lituaneze, duke vulosur eliminimin e Dritës.

Pavarësisht eliminimit nga Champions League, kampionia e Kosovës do ta vazhdojë garimin në raundin e dytë kualifikues të Conference League, ku do të kërkojë ta vazhdojë rrugëtimin evropian.


Go to TOP