Mac Allister: Anglia nuk e ka ritmin që e karakterizon Premier League

Mesfushori i Argjentinës, Alexis Mac Allister, beson se kombëtarja e Anglisë nuk po luan me ritmin dhe intensitetin që e karakterizon futbollin anglez. 

Argjentina dhe Anglia do të përballen të mërkurën në gjysmëfinalen e dytë të Kampionatit Botëror, ndërsa fituesi do të sigurojë një vend në finalen e madhe.

Futbollisti i Liverpool, i cili përballet çdo javë me skuadrat angleze në Premier League, ka thënë se anglezët mbeten një ekip shumë cilësor, por sipas tij nuk kanë të njëjtin ritëm fizik që shfaqin klubet elitare të Anglisë.

“Luaj kundër tyre çdo fundjavë dhe e di se janë shumë të fortë fizikisht. Por në këtë Botëror nuk e kanë ritmin që e karakterizon Premier League. Nuk e di nëse kjo vjen nga lodhja, nxehtësia apo ndonjë arsye tjetër”, ka deklaruar Mac Allister.

Ai ka theksuar se Argjentina e respekton maksimalisht kundërshtarin, por nuk ka ndërmend të ndryshojë mënyrën e saj të lojës.

“Është e qartë se Anglia është një skuadër shumë e fortë dhe ne e respektojmë shumë. Megjithatë, kemi besim te loja jonë dhe nuk do ta ndryshojmë atë”, ka shtuar mesfushori argjentinas.

Mac Allister ka folur edhe për peshën që ka trashëgimia e Diego Maradonës në ndeshjet kundër Anglisë. Ai ka thënë se videot e Botërorit të vitit 1986, kur Maradona udhëhoqi Argjentinën drejt fitores me golin e famshëm “Dora e Zotit” dhe një tjetër gol të jashtëzakonshëm, vazhdojnë të jenë frymëzim për ekipin.

“Është e vështirë të frymëzohesh nga ajo që bëri Diego, sepse është pothuajse e pamundur të përsëritet. Vetëm Leo Messi mund të bëjë gjëra të tilla. Diego është një simbol shumë i rëndësishëm për vendin tonë dhe shpresojmë të arrijmë diçka të ngjashme me atë brez”, është shprehur ai.


Go to TOP