Kane: Historia me argjentinën s`do ta shpërqendrojë Anglinë në gjysmëfinale
Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka deklaruar se kombëtarja angleze nuk do të ndikohet nga rivaliteti historik me Argjentinën në prag të gjysmëfinales së Kampionatit Botëror, e cila zhvillohet të mërkurën.
Përballjet mes dy kombëtareve kanë prodhuar disa nga momentet më të famshme në historinë e futbollit, përfshirë ndeshjen e Botërorit 1986 me golin e famshëm “Dora e Zotit” të Diego Maradonës, si dhe eliminimin e Anglisë pas penalltive në Botërorin e vitit 1998.
Megjithatë, Kane ka thënë se futbollistët anglezë janë të përqendruar vetëm te ndeshja dhe jo te historia.
“Nuk është diçka ku duhet të përqendrohemi shumë. Historia është pjesë e kësaj sfide dhe për të do të flasin mediat e tifozët. Për ne është thjesht një ndeshje ndaj një skuadre të madhe, shumë të zgjuar taktikisht, që di ta menaxhojë lojën dhe ritmin e saj”, ka thënë Kane.
Sulmuesi i Bayern Munich do të përballet me Lionel Messin, i cili ka shënuar tetë gola në këtë Botëror, dy më shumë se Kane.
Megjithatë, kapiteni anglez ka theksuar se fokusi nuk është vetëm te ylli argjentinas.
“E dimë sa i madh është Messi dhe çfarë ka arritur në futboll. Por ne luajmë kundër Argjentinës, jo kundër Lionel Messit. Ata kanë një skuadër shumë cilësore dhe ne duhet të përgatitemi për të gjithë ekipin”, është shprehur ai.
Kane ka komentuar edhe raportimet për një mosmarrëveshje mes trajnerit Thomas Tuchel dhe mesfushorit Jude Bellingham pas çerekfinales me Norvegjinë.
Ai e ka minimizuar situatën, duke thënë se kritikat janë pjesë normale e një skuadre që synon suksesin.
“Jemi një grup i bashkuar. Nuk do të thotë se duhet të biem dakord për çdo gjë. Të gjithë jemi profesionistë dhe dimë ta pranojmë kritikën, sepse ajo na ndihmon të përmirësohemi”, është shprehur Kane.
