Sveçla: Serbia po punëson shtetas të Kosovës në shërbimet e saj të sigurisë – privuam nga shtetësia Nikola Vujovićin
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur sot se Serbia, në kuadër të përpjekjeve të saj sistematike për destabilizimin e brendshëm të Republikës së Kosovës, ka angazhuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës – një veprim që përbën shkelje të ligjeve të Kosovës dhe cenim të sigurisë kombëtare.
Në këtë kontekst, Sveçla ka njoftuar se ka marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović, i cili sipas autoriteteve kosovare është pjesëtar i forcave policore të Serbisë. Ky vendim, siç tha ministri, është ndërmarrë në bazë të legjislacionit përkatës për shtetësi, akteve nënligjore dhe rekomandimeve të institucioneve përkatëse të sigurisë.
“Duke pasur parasysh qëllimet agresive të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, adresimi institucional i rasteve të tilla është jo vetëm një çështje e rendit ligjor, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror,” u shpreh Sveçla.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare nga askush, dhe se vendi i përket të gjithë shtetasve që i qëndrojnë besnikë integritetit të saj.
“Institucionet tona mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë,” përfundoi ministri Sveçla. /Kosova.info/
