Shën Nëna Tereze dhe ne!

Shkruan: Don Lush GJERGJI


• Të krishterët duhet t’i përngjajmë Krishtit”

“Bashkimi i të krishterëve është diçka shumë me rëndësi, sepse të krishterët paraqesin një dritë për të tjerët. Të gjithë presin prej nesh që të jetojmë në plotësi jetën e krishterë, të jenë ata myslimanë, induistë apo të krishterë.

Masa sa i përkasim Zotit është mënyra e ballafaqimit të jetës. Nuk na përket ne të dënojmë, gjykojmë, të themi fjalë fyese… Të gjithë njerëzit janë vëllezër. Të gjithë jemi krijuar nga dora e dashur e Zotit.


Nëse jemi të krishterë, duhet t’i përngjajmë Krishtit: kjo është bindja ime.

Gandi, pati thënë një herë, që nëse të krishterët do të ishin vërtet të tillë, në Indi nuk do të kishte induistë… Të gjithë jemi bijtë e Hyjit.

Disa e quajnë Ishwar, të tjerët e thërrasin Allah, tjerët thjeshtë Zot, por të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që Ai na ka krijuar për gjëra të mëdha… Ne punojmë me të gjithë dhe për të gjithë, dhe falë Zotit, nuk kemi kurrfarë vështirësie.

Puna jonë është ekumenike, sepse ne punojmë me të gjithë, pa asnjë dallimi, për t’i afruar njerëzit me njëri-tjetrin, për ta bërë të njohur Zotin si Dashuri. Qëllimi ynë kryesor është t’ua ofrojmë njerëzve dashurinë e Hyjit… Kur do të vijë dashuria, atëherë do të kemi edhe bashkimin e Kishës dhe të botës.”

Disa porosi të famshme të Shën Nënës Tereze

Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtet pa fund.

Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloji varfërie.

Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.

Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.

Të varfrit na japin shumë më tepër nga sa u japim ne atyre. Ata janë kaq të fortë, jetojnë çdo ditë pa ushqim e nuk mallkojnë kurrë, nuk ankohen. S’kemi nevojë të tregojmë mëshirë apo simpati për ta. Kemi kaq shumë për të mësuar prej tyre.

Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.

Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.

Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde. Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.

Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Por jam e nderuar të marrë çmimin Nobel në emër të urisë, zhveshjes, të pastrehëve, të verbërve, të sëmurëve, të atyre njerëzve që janë të padëshiruar, që nuk i do njeri, nuk kujdesen për ta. Njerëzit që ndihen të braktisur nga shoqëria dhe të refuzuar nga të gjithë.

Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.

Çfarë mund të bëni për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.

Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.

Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.

Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.

Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan ne duhet të mësojmë se si të falim.

Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit – ata në shtëpi.

Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri.

Kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit, prandaj s’kemi paqe .

                                           

Go to TOP