Salih Murat dënon trajtimin e aktivistëve të Flotës Globale Sumud nga Izraeli

Deputeti në Maqedoninë e Veriut, Salih Murat, ka reaguar ashpër ndaj ndalimit të Flotës Globale Sumud nga forcat izraelite, duke e cilësuar veprimin si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut.

Në një postim publik, Murat tha se flota e përbërë nga më shumë se 50 anije, e cila po transportonte ndihma humanitare drejt Gazës, u ndalua me forcë në ujërat ndërkombëtare dhe se mbi 430 aktivistë u arrestuan.

Ai ngriti shqetësime për raportimet se ndaj aktivistëve të ndaluar është ushtruar dhunë fizike, ndërsa kritikoi edhe publikimin e videove nga ministri izraelit Itamar Ben-Gvir, ku shfaqen aktivistë të gjunjëzuar me duart e lidhura pas shpine.

Sipas Muratit, reagimet dhe dënimet nga një numër shtetesh dhe organizatash ndërkombëtare tregojnë shqetësimin e madh që ky rast ka shkaktuar në opinionin botëror. Ai theksoi se transportimi i ndihmave humanitare nuk përbën krim dhe se sulmet ndaj aktivistëve civilë në ujëra ndërkombëtare përbëjnë shkelje serioze të normave ndërkombëtare.

Murat i bëri thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të dënojë publikisht këtë veprim dhe kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të sigurojë përgjegjësi për veprimet e Izraelit.

Go to TOP