Dukagjini fiton Kupën dhe del në Evropë
Dukagjini e ka fituar për herë të parë Kupën e Kosovës në futboll pasi në finalen dramatike të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”në Prishtinë e ka mposhtur Ferizajn me rezultat 2:1.
Finalja është karakterizuar nga tensione të mëdha në minutat e fundit, kur ndeshja është ndërprerë përkohësisht pas largimit të skuadrës së Ferizajt nga fusha.
Gjithçka ka ndodhur në minutën e tretë të kohës shtesë, kur futbollistët e Ferizajt kanë kërkuar penallti për prekje të pretenduar me dorë në zonë nga mbrojtësi Albion Pllana.
Megjithatë, gjyqtari Genc Nuza nuk ka akorduar penallti duke shkaktuar protesta të shumta nga futbollistët dhe stafi i Ferizajt.
Pas reagimeve të ashpra, kapiteni Betim Haxhimusa është ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa trajneri Arsim Abazi ka vendosur ta tërheqë skuadrën nga fusha. Futbollistët e Ferizajt i janë drejtuar përkohësisht në zhveshtore, ndërsa ndeshja ka mbetur e ndërprerë për disa minuta.
Më pas, lojtarët e Ferizajt janë rikthyer në fushë dhe takimi ka vazhduar deri në fund. Skuadra ferizajase nuk ka arritur ta barazojë rezultatin, ndërsa gjyqtari Nuza e ka mbyllur ndeshjen me rezultatin 2:1 në favor të Dukagjinit.
Para tensioneve të fundit, Dukagjini ka kaluar në epërsi në minutën e gjashtëmbëdhjetë me një supergol nga distanca të Altin Mërlakut, i cili e ka mposhtur portierin Kai McKenzie-Lyle për 1:0.
Ferizaj ka reaguar shpejt dhe e ka barazuar në minutën e njëzet e tretë me anë të Kushtrim Shabanir. Goli është konfirmuar pas kontrollit në VAR.
Në minutën e tridhjetë, Hekuran Berisha e ka goditur shtyllën, ndërsa më pas është bërë heroi i finales.
Në minutën e shtatëdhjetë, Dukagjini ka mbetur me dhjetë lojtarë pasi Erlis Xhemajli është përjashtua me kartonin e dytë të verdhë.
Pavarësisht një lojtari më pak, skuadra nga Klina e ka gjetur golin e fitores në minutën e shtatëdhjetë e katërt. Berisha ka realizuar një supergol nga gjysma e fushës duke përfituar nga dalja e avancuar e portierit McKenzie-Lyle dhe duke vulosur rezultatin 2:1.
Me këtë triumf historik, Dukagjini siguron edhe pjesëmarrjen në kualifikimet e Conference League për sezonin e ardhshëm.
Finalen në stadiumin “Fadil Vokrri” e ka ndjekur nga afër edhe përzgjedhësi i Kosovo, Franco Foda.
