Rruga Prishtinë – Ferizaj vazhdon të jetë e bllokuar, Durmishi me apel për vozitësit
Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës kanë shkaktuar grumbullim uji dhe rrëshqitje dheu në disa segmente rrugore në vend duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Lajmin e ka bërë të ditur u.d. i ministrit në detyrë, Hysen Durmishi, i cili ka theksuar se institucionet kanë reaguar me të gjitha kapacitetet për të larguar pengesat dhe për të normalizuar qarkullimin.
Sipas tij, situata më problematike aktualisht paraqitet në rrugën Prishtinë–Ferizaj, ku ende ka bllokim si pasojë e sasisë së madhe të ujit të grumbulluar në rrugë. Ky problem, siç ka sqaruar Durmishi, është shkaktuar kryesisht nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike.
“Pas reshjeve të shiut kanë filluar reshjet e borës dhe temperaturat gjatë natës pritet të jenë nën zero, çka mund të shkaktojë ngrica në rrugë,” ka paralajmëruar ai duke theksuar rrezikun shtesë për pjesëmarrësit në trafik.
Durmishi ka bërë të ditur se ekipet janë të angazhuara në pastrimin dhe mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve që janë në kompetencën e tyre, ndërsa ka shprehur edhe gatishmëri të plotë për të ndihmuar institucionet lokale, kudo që paraqitet nevoja.
Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të vozin me kujdes të shtuar, të respektojnë kushtet e rrugës dhe të përshtasin shpejtësinë me situatën aktuale, për të shmangur aksidentet dhe rreziqet e mundshme. /Kosova.info/
