Resuli kundër reformës së re: Po eksperimentoni me shëndetin publik dhe shërbimin veterinar

Presidenti i Urdhrit Profesionist të Mjekut Veterinar Shqiptar, Ervin Resuli, ka reaguar ashpër ndaj propozimeve për shkrirjen e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), si dhe ndaj heqjes së statusit të nëpunësit civil për mjekët veterinarë. Sipas tij, kjo reformë nuk përfaqëson aspak një avancim të sistemit, por një hap të rrezikshëm drejt kolapsit të plotë të shërbimit veterinar në vend.

“Shkrirja e AKVMB-së dhe mbivendosja e kompetencave në struktura të reja, të papërputhshme me modelet e Bashkimit Europian, është një recetë për dështim,” theksoi Resuli. Ai rikujtoi se edhe AKVMB-ja ishte një eksperiment që përfundoi si shembull i keq-menaxhimit, dhe tani rrezikohet të përsëritet e njëjta histori.

Resuli u shpreh se kjo nuk është një reformë, por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj sigurisë ushqimore, shëndetit publik dhe të ardhmes së profesionit veterinar. Ai kritikoi ashpër faktin që struktura të tilla po ndërtohen në emër të përafrimit me BE-në, ndërkohë që nuk ekzistojnë në asnjë vend të unionit dhe përjashtojnë totalisht profesionistët nga vendimmarrja.

“Duhet thënë STOP! Mjaft më me eksperimente që sjellin regres. Shqipëria ka nevojë për standarde europiane të vërteta, jo për improvizime që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe shkatërrojnë shërbimin veterinar,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP