Reformim apo eutanazi e LDK-së
Shkruan: Halil MUSLIU
Kuvendi i fundit i LDK-së i cili më shumë ishte produkt i një reagimi refleksiv ndaj një presioni të gjithanshëm i cili u manifestua pas mossuksesit në zgjedhje dhe pakënaqësive për degradimin e vazhdueshëm, është vështirë të përkufizohet, ngase ai nuk kishte objektiva të qarta as agjendë të përcaktuar dhe si i tillë nuk ishte as kuvend pune as kuvend zgjedhor, por sidoqoftë ishte një zgjidhje kreative e cila mundësoi tejkalimin e një situate dhe gjendje të rëndë në të cilën ishte katandisur LDK-ja. Në të vërtetë, ky Kuvend debatin e panevojshëm publik ,të zhvilluar përmes deklaratave dhe prononcimeve të paartikuluara, konfuze e të pastrukturuara, pa takt dhe sens politik nga eksponentë partiakë që nuk e kalojnë standardin politik të një nëndege arriti ta rikthejë brenda strukturave partiake. Përmes një procesi të improvizuar duke simuluar një lloj procesi zgjedhor me votë të fshehtë, iu dha një legjitimitet formal këtij procesi. Kësisoj, u arrit të ndalohen ndasitë dhe polarizimet e brendshme dhe, më e rëndësishmja, u shmang ndarja dhe përçarja e partisë në këtë fazë. Njëkohësisht, u ble kohë për inicimin e një procesi reflektimi dhe reformimi të partisë.
Shtrohet pyetja:A është e mjaftueshme kjo.Natyrisht që jo.Por ky kuvend paraqet një pikënisje dhe krijon premisa për racionalizmin e diskursit politik,dhe si i tillë mund të shërbejë dhe duhet të shfrytëzohet për fillimin e reformimit të mirëfilltë të partisë natyrisht për këtë duhet të ekzistoj vullneti dhe përkushtimi politik.
LDK-ja po kalon momentet më të vështira që nga themelimi i saj. Kriza nëpër të cilën po kalon prej një kohe të gjatë është pasojë e një mendësie politike dhe e një modeli organizimi me të cilin është udhëhequr ,e që ka prodhuar trende negative me përmasa të një procesi retrograd.
Shtrohet pyetja: Cila është rruga për dalje nga kriza? Çështja është si duhet të drejtohet LDK-ja pas degradimit që ka pësuar, kah duhet të orientohet dhe si duhet të rimodelohet organizimi i brendshëm për të dalë nga kjo gjendje, e jo që me ndryshime kozmetike të simulohet reforma.
Pa mëdyshje, e vetmja rrugë për rikthimin politik është reformimi i mirëfilltë i partisë dhe ristrukturimi në të gjitha linjat dhe drejtimet. Përpjekjet për të ruajtur status quo-në ose tendencat që reforma të prezantohet përmes rokadave në lidership vetëm sa do ta rrisin konfuzionin duke e pamundësuar reformimin e nevojshëm dhe duke e katandisur LDK-në në një krizë edhe më të thellë.
Kriza e LDK-së filloi me instalimin e modelit autokratik të menaxhimit të partisë, i cili u kodifikua me ndryshimin e statutit të saj më 2012. Ky ndryshim, i kamufluar atëbotë si iniciativë për reformim, instaloi modelin e menaxhimit i cili detronizoi autoritetin e forumeve dhe mekanizmave partiakë, të cilët që atëherë shërbejnë më tepër si dekor i strukturës organizative sesa si organe me rol real në vendimmarrje.
Me këto norma statutare, e tërë fuqia menaxheriale dhe vendimmarrëse iu bart kryetarit të partisë, të cilit iu mundësua përzgjedhja e udhëheqjes. Ky pushtet i përqendruar prodhoi një model sipas të cilit partia udhëhiqet nga kryetari dhe të përzgjedhurit e tij politikë. Kjo mendësi prodhoi një kastë politike që e përqendroi energjinë dhe angazhimin në pozicionimin vetjak për privilegje e benefite duke nxitur gara dhe rreshtime të brendshme, në vend të krijimit dhe editimit të politikave publike konkurruese në tregun politik.
Si pasojë, u devalvua sistemi i administrimit dhe organizimit të brendshëm partiak duke degraduar rolin e mekanizmave partiakë, në radhë të parë të Kryesisë Qendrore, Këshillit të Përgjithshëm dhe Kuvendit. E njëjta logjikë u aplikua edhe në degë e nëndegë duke sjellë pasivizimin e strukturës organizative. Kjo mendësi prodhoi një strukturë të përbërë nga poltronë dhe karrieristë politikë lojalë e të dëgjueshëm deri në skajshmëri. Modelimi i LDK-së mbi këto premisa formalizoi frymën autoritare duke e shndërruar sistemin e organizimit të brendshëm në një model që asocon me një sistem piramidal.
Kjo bëri që LDK-ja të humbë identitetin e saj politik. Prirja liberale që e karakterizonte u konvertua në model autoritar. Anëtari i LDK-së u margjinalizua dhe u ekskomunikua nga procesi i organizimit dhe menaxhimit duke u spostuar në rolin e statistit. Pamundësia për të ndikuar në orientimet politike dhe për të zgjedhur me votë udhëheqjen e merituar krijoi ndjenjën e përjashtimit dhe distancën mes lidershipit dhe anëtarësisë.
Reduktimi i rolit të forumeve partiake dhe i anëtarësisë solli reduktimin e përkrahjes elektorale, e cila u manifestua në ciklet zgjedhore duke kulmuar në zgjedhjet e fundit, ku LDK-ja arriti rezultatin më të dobët duke u katandisur në pozicionin më inferior që nga ekzistimi i saj, dhe kjo shtron nevojën imediate për reflektim dhe riorganizim të brendshëm.
Reforma politike duhet të jetë rezultat i reflektimit ndaj kësaj gjendjeje. Ajo nënkupton korrigjimin dhe avancimin e sistemit organizativ, si dhe eliminimin e defekteve në administrimin dhe menaxhimin e partisë. LDK-ja ka nevojë për një platformë të re politike që i trajton të gjithë anëtarët të barabartë dhe që krijon mundësi të barabarta duke flakur frymën e diferencimit dhe përjashtimit.
Procesi i reformimit duhet të zhvillohet në frymë mirëbesimi duke fuqizuar orientimin liberal-demokratik dhe duke shmangur individualizimin e fajit. Energjia duhet të përqendrohet kah e ardhmja, në funksion të integrimit dhe unifikimit, me qëllim mobilizimin e kapaciteteve të brendshme.Reforma duhet të prodhojë krijimin e një platforme e cila do të rivalorizonte dhe sintetizonte traditën dhe vlerat politike të LDK-së me idetë e reja dhe politikat innovative duke promovuar një mendësi të re dhe produktive, e cila do të ishte autentike, legjitime dhe e besueshme për anëtarësinë e LDK-së, të gjitha variantet tjera janë përpjekje për ruajtjen e status kuos dhe e thellojnë edhe më shumë krizën e brendshme.
Ndryshimi i domosdoshëm është inicimi i procedurës për ndryshimin e statutit të LDK-së duke eliminuar normat që mundësojnë interpretime arbitrare dhe që kanë etabluar prirjen autoritare. Kjo do të rikthente subjektivitetin politik të anëtarit të LDK-së, i cili përmes votës do të përcaktonte orientimet dhe përfaqësuesit e tij.
Pra reforma nuk guxon të reduktohet në garë për të parin e LDK-së. sepse një situatë e tillë do të prodhonte një lider i cili është rezultat i pazareve apo kombinatorikave të klaneve, dhe një prirje e tillë do të mënjanonte opsionin e reformimit, ai duhet të jetë produkt i një procesi të mirëfilltë demokratik. Lideri është personifikim i modelit politik me të cilin administrohet partia. Kërkimi i “liderit shpëtimtar” është relikt i mendësisë idolatrike dhe totalitare. Drejtimi i LDK-së duhet t’i kthehet anëtarësisë dhe të menaxhohet mbi parime demokratike.
Reformimi nënkupton ndryshim substancial të platformës dhe strukturës duke e bërë procesin ireversibil dhe duke pamundësuar rikthimin e recidivave autoritare. Një veprim i tillë është i domosdoshëm para se të demolohet tërësish koncepti liberal që ka qenë bazamenti i platformës politike të LDK-së.. Çdo qasje tjetër vetëm sa do ta riciklonte krizën dhe do ta thellonte atë edhe më tej.
