Rama: Transporti Publik i Unifikuar në Prishtinë me bileta të integruara për të gjitha linjat
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar nisjen e një reforme të madhe në sistemin e transportit publik urban. Nga data 1 janar 2025, qytetarët e kryeqytetit do të përfitojnë nga një sistem i unifikuar transporti publik, duke përfshirë operatorët privatë dhe Trafikun Urban nën të njëjtat kushte.
Çmimet e biletave janë të përballueshme dhe të përshtatshme për nevojat e qytetarëve: 0.50€ për një udhëtim të vetëm; 0.80€ për biletën ditore, të vlefshme për të gjitha linjat; 4€ për biletën javore; 12€ për biletën mujore për studentë dhe 13.50€ për biletën mujore për qytetarë.
Përfituesit e udhëtimeve falas përfshijnë: pensionistët; policia; Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK); veteranët; zjarrfikësit; personat me aftësi të kufizuara dhe Nxënësit e shkollave fillore.
“Ky është një hap drejt modernizimit të transportit publik, duke lehtësuar qasjen dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët,” deklaroi Përparim Rama.
Reforma synon të rrisë efikasitetin, të ulë trafikun e makinave private dhe të krijojë një qytet më të qëndrueshëm dhe të qasshëm për të gjithë. /Kosova.info/
