Rama dhe Peter Murray promovojnë transportin e gjelbër në Prishtinë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me arkitektin dhe urbanistin britanik Peter Murray, eksploruan qytetin duke përdorur sistemin e biçikletave publike “Prishtina Bikes”. Kjo nismë synon të promovojë transportin e qëndrueshëm dhe një mënyrë jetese më aktive për qytetarët e kryeqytetit.
Peter Murray, një nga zërat më me ndikim në Mbretërinë e Bashkuar për zhvillimin urban të qëndrueshëm, ka një histori të gjatë në promovimin e politikave publike që mbështesin qytete më të pastra dhe të lidhura përmes transportit alternativ. Ai është themelues i “New London Architecture” dhe ka kontribuar ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës urbane në Londër dhe qytete të tjera.
Takimi mes Ramës dhe Murray-t përforcon lidhjet mes Prishtinës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e inovacionit urban duke hapur mundësi për bashkëpunime të reja në projekte të gjelbra dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Kryetari Rama theksoi se Prishtina po ecën drejt një të ardhmeje ku transporti publik, biçikletat dhe zgjidhjet ekologjike do të jenë pjesë qendrore e jetës së qytetit. /Kosova.info/
