Qelaj: Të drejtat e njeriut në Kosovë nuk janë sipas standardeve

Të drejtat e njeriut, dhe respektimi i tyre në Kosovë, çdo vit po avancojnë dhe po përmirësohen, por që nuk është në përputhje me standardet e kërkuara dhe me atë që synon Republika e Kosovës edhe mbi bazën e përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, tha avokat i popullit, Naim Qelaj në magazinën “Info Plus”, në RTK.

Ai tha se, sipas vlerësimit që bëjnë se cilat janë shkeljet që pretendohen më shumë nga qytetarët, sipas tij, çdo vit prin mungesa e të drejtës për gjykim të drejtë, duke shtuar se kjo shton nevojën e reformës në sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

“Fatkeqësisht dy raportet e viteve të kaluara (2022 dhe 2023) që janë dorëzuar në kuvend, nuk ju kanë nënshtruar vlerësimit të nga ana e kuvendit, sepse raportet e Avokatit të Popullit për gjendjen e të drejtave të njeriut dorëzohen në kuvend. Kjo tregon një situatë jo të mirë në raport me qasjen që e ka kuvendi si organ mbikëqyrës i zbatimit të të drejtave të njeriut nga krejt agjencitë ekzekutive, institucionet e pavarura dhe agjencitë tjera. E në anën tjetër lenë në hije punën dhe angazhimin që Avokati i Popullit bënë gjatë një viti deri në hartimin e raportit, ku provon në mënyrë shumë të detajuar me e paraqit çdo shkelje që ka evident nga ankesat ose nga hetimet që i ka zhvilluar vet Avokati i Popullit”, tha Qelaj.

Ai tha se do të bëjë thirrje dhe adresim publik që të tërheq vëmendjen e kuvendit që të drejtat e njeriut janë fondamentale për mirëqenien e njerëzve.

Sipas tij, me mos vlerësimin e raporteve të Avokatit të Popullit nga kuvendi, në mënyrë indirekte shkelen të drejtat e njeriut.

“Nuk ka fushë dhe segment të të drejtave të njeriut që ne nuk e prekim ne raporte, dhe mos trajtimi, e mos dhënia rëndësi dhe peshën e vetë që kanë këto raporte e zbeh edhe vetë respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, sepse Avokati i Popullit është i thirrur dhe ka mandatë kushtetues të dal me qëndrime e opinione kur konstaton që ka shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Qelaj.

Go to TOP