Publikohet në platformën “Amazon” libri i Fehmi Ajvazit “Në mbretërinë e vdekjes”

Para pak javësh, është publikuar në platformën “Amazon” në gjuhën angleze libri i gazetarit dhe shkrimtarit Fehmi Ajvazi, me titull: “Në mbretërinë e vdekjes” (Anglisht: In the kingdom of death”. Versioni shqip i botimit të këtij libri, u bë nga autori në vitin 2012: “Dita 24”.)

Në kontekst, në gjuhën shqipe ky libër është botuar në vitin 2012, dhe në gjuhën rumune në vitin 2019. Përmbajta, pasqyron periudhën dramatike në Kosovë pak para se të fillonin bombardimet e NATO-s, momentet e bombardimeve, terrorin serb pastaj, dëbimin etj. Struktura dhe korniza e përmbajtjes janë shkruar nga autori në vetën njëjës, gjë që, kemi të bëjmë me një libër në formë ditari, në formë kronike me narracione dhe përshkrime emocionale – dramatike ashtu siç, ishte ajo kohë në Kosovë.   

Fehmi Ajvazi, është emër i njohur në gazetarinë dhe në krijimtarinë e gjerë shqipe në Kosovë. Lexuesi, nuk e ‘takon’ për herë të parë këtë autorë me një veprimtari të gjatë qysh prej vitit 1987 në mediat e shkruara, në poezi, në kulturë, publicistik etj. Pas lufte, duke qenë se autori ka studiuar shkenca juridike dhe politologji me administratë, fokus i tij është veprimtaria hulumtuese dhe studiuese. Prandaj, veprimtaria e tij krijuese, pa e harruar kulturën dhe letërsinë ( Ajvazi, ka të botuara tri përmbledhje poetike), pas lufte është përqendruar në sferat historike, dokumentare, shkencore etj. Prandaj, nga domeni i këtillë, z. Ajvazi ka botuar një varg librash mbi njohjet historike, ashtu si edhe mbi fenomenet shoqërore, politike, publicistike, dokumentare, si: “Njohuri politike dhe juridike (përgatitje), “Teknologjia e mureve”, “Komploti”, “Figura e Adem Jasharit”, “Në vijën e Teodosit”, “Tradhtia e shumëfishtë” etj.

Libri “Në mbretërinë e vdekjes”, i botuar në shqip me titull “Dita 24” (2012) dhe i përkthyer në gjuhën rumune nga Mariues Dobrescu në vitin 2019 ( përkthyesi ekskluziv i Ismail Kadaresë në gjuhën rumune), është një nga librat e rëndësishme të tij krijues, dhe mjaft të rralla në teknologjinë e shkrimit – përmbajtjes. Në faqet e këtij libri, përfshihet një ‘kronikë’ rrëfyese në formë ditari e një periudhe dramatike nëpër të cilën kaloi Kosova dhe populli i saj në pranverë të vitit 1999. Në njërën anë terrori shekullorë serb dhe pastaj lufta, në fund intervenimi ndërkombëtar i NATO-s, janë epilogu i disa komponentëve që e përbëjnë gjendjen në Kosovë në këtë kohë. Dy komponentët e para, terrori shekullorë serb dhe lufta shfaqen secila më tronditëse dhe më goditëse se tjetra! E treta, padyshim që përfundon me një fund të gëzuar për popullin e Kosovës që, ishte vënë në shënjestër nga regjimi serb i Milosheviqit për tu dekompozuar – shfarosur. Në parantezë, ti referohemi përmbajtjes hyrëse të këtij libri:     

”Po mbaj shënime. Aso shënime të copëzuar për ngjarjet e ndryshme që po zhvillohen rreth e rrotull nesh, se nuk i dihet! Janë më shumë copëza fjalish të stisura me disa ngjarje dhe të dhëna. Janë më shumë copëza paragrafësh dhe skicash, e të ndrydhura me ca fakte që s’kanë shpjegim. Po përpiqem të mbaj shënime, të grumbullojë gazeta, të mbaj mend lajme e ngjarje të ndryshme, që po e përshkojnë fatin tonë, jetën, udhën tonë kolektive. Gjërat që nuk shënohen-harrohen. Por mbajtja e shënimeve në këtë kohë, sinqerisht më duket disa herë jonormale, për të mos thënë absurde, krahasuar me atë që është duke ndodhur! Në kohën kur digjet gjithçka në Kosovë, madje kur digjet edhe toka, çfarë më duhen këto ‘shkarravina’ të verdha nëpër letra të bardha? Më bëhet që është një çështje pa interes, një humbje kohe, ose është një punë monotone, e padenjë në kohën kur të gjallët në Kosovë (njerëzit), e ndoshta edhe zogjtë e malit janë as në qiell dhe as në tokë. Në anën tjetër, e di mirë dhe jam i bindur që, në thelb të këtyre shënimeve, sado të thjeshta e të copëzuar, një ditë mund të kërkohet e të gjendet diçka interesante, diçka me vlerë për këtë kohë, pavarësisht faktit që, ne, të gjithë, tashmë jemi kthyer në ngjarje, në personazhe, në histori.

Herë pas here, nxjerr në “letra të bardha” fjali të gjymta, radhë të çala, paragrafë të stërkequr, faqe të copëzuara ditari, me një strukturë shkrimi pa gjallëri e dinamikë, pa shkëlqim artistik, pa ritëm. Por këto, as më shumë dhe as më pak, janë radhë të një drame të vërtetë që po ndodh rrotull nesh; të një drame që po i lëkund themelet e qytetërimit tonë të lashtë dhe më gjerë. Mbi këto shënime, një ditë, mbase do të shkruaj një libër. Një libër, kuptohet – nëse shpëtoj i gjallë. Libër që dëshmon, libër që flet, libër që e fakton këtë kohë të çmendur. Nuk është me rëndësi kur, por nëse mbetem gjallë, brezat e kësaj kohe dhe ata që do të vijnë në këtë botë, do ta kenë në duar këtë lloj libri.

‘Faktet nuk pushojnë të ekzistojnë, vetëm ngase i injorojmë’, thotë Aldous Huxley, shkrimtar i njohur anglez. Këto radhë, kështu siç janë, në çdo mënyrë dhe formë, janë dëshmi burimore, origjinale. Nuk mund të mos e them që këto radhë më trishtojnë tek i shkruaj, pikërisht nga efekti që prodhojnë, nga aktualiteti që përmbajnë, nga substanca faktike, bazuar nga e gjithë kjo që po ndodh në Kosovë dhe rreth saj. Dhe, do të më trishtojnë, sigurisht, edhe në të ardhmen: sa herë që do t’i shkruaj e rishkruaj, derisa t’i botojë. Por, do të më trishtojnë edhe sa herë që do t’i kem përpara, sa herë që do t’i lexojë dhe rilexojë nëse, natyrisht – mbetem i gjallë. Zoti qoftë me ne.” (Stina e dimrit, 1999, fq. 11.)

Në mes të kohëve dramatike

Në rrethanat e vështira të gjendjes në Kosovë, z. Ajvazi punonte gazetar në Prishtinë. Si gazetar – student në Universitetin e Prishtinës në revistën studentore “Bota e Re”, ai ndoqi me kujdes zhvillimet dramatike por, padyshim edhe historike studentore. Në kontekst, në vitin 1996, z. Ajvazi e botoi librin dokumentarë “Kujtime mbi ngjarjet në Universitet”. Duke qenë prej vitesh rrugëve, fshatrave dhe qyteteve të Kosovës në këtë detyrë fisnike siç është gazetaria, por tejet të rrezikshme meqë situata kishte filluar të përkeqësohej qysh në nëntor të vitit 1988, z. Ajvazi ishte nga gazetarët e rrallë që e kishte kuptuar me kohë se nuk mjaftonte vetëm detyra e gazetarit për ta propaganduar dhe postuar të vërtetën në opinion (brenda dhe jashtë vendit), porse duhej menduar (pavarësisht rrethanave) edhe për ‘kujtesën’ e brezave, ashtu si edhe për rrjedhën historike – dokumentare të proceseve. Qysh në vitin 1980, aso kohe në vitin e dytë të gjimnazit, ai u hetua në Zyrën e Sigurimit Shtetërorë në Gjilan. Pastaj në vitin 1981, 1988 etj. Pavarësisht rrethanave, kushteve dhe kërcënimeve të pushtetit serbo-jugosllav, z. Ajvazi iu bashkëngjitë protestave dhe demonstratave në vitet e 90-ta. Po ashtu, ai mori përgjegjësitë e ndryshme edhe brenda lëvizjes rezistence dhe organizimeve paralele në sfidim të pushtimit serb pas defaktorizmit juridik – kushtetues të Kosovës në vitin 1989.

Paralelisht, ai vazhdoi të shkruante madje, dy fish më shumë në shtypin e kohës. Kur filloi lufta në Kosovë, në rrethana të jashtëzakonshme, ai gjykoi me ndërgjegje dhe me sakrificë ta kishte në mendje (nëse do të shpëtonte), pasqyrimin e ardhshëm nëpër tym e zjarr të rrethanave të ferrit nëpër të cilat aso kohe po kalonte Kosova, dhe populli shqiptarë. Në kontekst, brenda një situate pa shtegdalje ku dominonte pasiguria totale, dhuna terroriste serbe, pastaj lufta etj., ai gjykonte mbi realitetin irracional se, ndoshta legjenda mbi “Feniksin” ka ekzistuar! Një popull “feniks”, a mund të jetë…?

Text Box:  Kishin kaluar gati dymijë vjet që kur Kosova nuk kishte pasur kurrë paqe, liri, zhvillim. Qysh nga ajo që njihet si “provinca e Dardanisë”, nuk ishte pashuar të ushqehej me gjak në vend se me ujë të bekuar e frymë të lirë, kjo pjesë e atdheut të shqipeve. Fjalët, kodekset, shenjat dhe gjithçka e mbetur mbi tokë e nën tokë, tregonte se shqiptarët ia kishin dalë të mos shkuleshin nga toka e tyre: as me të mirë, dhe as me dhunë. Fundi i shekullit, në fakt përfundimi i paqes së Dejtonit (1995) që i dha fund luftës në Bosnje dhe Kroaci, shkaktoi goditje mbi Kosovë: çështja e Kosovës në Dejton, nuk hyri në tryezën e bisedimeve dhe ky ishte mesazhi 100% i saktë se problemi i Kosovës nuk do të zgjidhej kurrë mbi kondita politike me Beogradin. Pastaj, viti 1997 u kthye në “para hyrje” të fillimit të luftës. Pas protestave të studentëve dhe daljes publike të UCK-së në nëntor të këtij viti, lufta s’kishte alternativë!

Autori, e përkufizon rolin e tij të gazetarit ( madje duke e pasur sektor Universitetin e Prishtinës) por edhe të krijuesit e shkrimtarit të ri duke qenë edhe fizikisht brenda Kosovës në rrethanat më të vështira të mundshme: kur askush nuk e dinte se çfarë është fati i tij brenda një dite, brenda një jave, e lëre më brenda një muaji a brenda një viti! Fillim i luftës në mars të vitit 1998 ( pas ngjarjes së Prekazit), dhe pastaj, intensifikimi i luftës edhe në fillim të vitit 1999, shkaktoi një gjendje tejet dramatike të terrorit e vrasjeve në masë të shqiptarëve nga forcat serbe. Luftimet mes forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, përkundër përpjekjeve ndërkombëtare për armëpushim nuk u ndalën, përkundrazi, u intensifikuan edhe më shumë!

Zoti i qiejve: NATO

Pas ngjarjes së Raçakut (15 janar, 1999), presioni politik ndërkombëtar ndaj Beogradit u shtua krahas kërcënimeve për ndërhyrje ushtarake nga aleanca NATO. Si rezultat i kësaj gjendje, u organizua Konferenca e Rambujesë për Kosovën prej: 6-23 shkurt. Por, asgjë nuk funksionoi. Rezultati i kësaj konference shpejt u bë i njohur: delegacioni serb jo vetëm i sabotoi bisedimet por, qysh në fillim, u tall me nevojën e bisedimeve, me rëndësinë dhe thelbin e bisedimeve, me mënyrën dhe formën e mbajtjes së tyre etj. Dhe delegacioni serb ashtu siç u erdhi në Rambuje, ashtu edhe u kthye në Beograd: bosh! Delegacioni i shqiptarëve, e nënshkroi marrëveshjen e Rambujesë. Me këtë akt, praktikisht u përmbyllën të gjitha rrugët e mundshme që të gjendej ndonjë zgjidhje politike paqësore për Kosovën në tryezën e bisedimeve.

“Përpara se të fillonin bombardimet e NATO-s, për njerëzit që nuk e kishin braktisur Kosovën, ishin dy-tri javë trishtuese. Dhuna u rrit gjithandej, kurse Beogradi u përforcua në territorin e Kosovës me më shumë forca ushtarake dhe policore. Kërcënimet gjithfarëshe, masat e shtuara represive, masakrat kundër popullsisë civile, krijuan një situatë të papërballueshme, absurde. Luftimet në mes të UÇK-së dhe të forcave serbe u shumëfishuan. Terrori serb u bart gjithnjë e më shumë edhe nëpër rrugë, në tregje, në lokalitete të ndryshme, nëpër lagje, në fshatra e qytete. Në anën tjetër, edhe ato pak raporte fqinjësore që ishin ende të gjalla në mes të shqiptarëve dhe të serbëve, u ndërprenë fare. U rralluan jashtëzakonisht shumë kontaktet, përshëndetjet në mes të civilëve shqiptarë dhe serbë, raportet tregtare dhe të biznesit etj. Situata u përkeqësua në mënyrë dramatike. Lufta apo hija e saj, filloi t’u afrohej edhe zonave ku s’kishte pasur më parë luftime (fshatrave dhe qyteteve). Mobilizimi i civilëve dhe i grupeve të ndryshme paramilitare, grumbullimi dhe stacionimi në Kosovë i forcave policore dhe ushtarake, hoqi çdo dilemë edhe për optimistët më të krisur (vendorë dhe ndërkombëtarë) se Serbia do të mund të reflektonte dhe siguronte çfarëdo zgjidhje politike të problemit të Kosovës në tryezën e bisedimeve.” (Versioni shqip: Rrëfimi që s’përfundon”, fq. 15)

Në javën e tretë të marsit, gjërat në Kosovë u ashpërsuan shumë dhe situata, ishte totalisht e paparashikueshme: askush nuk e dinte e çfarë do të ndodhte në Kosovë, derisa kërcënimet ndërkombëtare shtoheshin gjithnjë e më shumë. Bashkësia ndërkombëtare, bëri çdo gjë që ishte e mundur që t’i shmangej intervenimit por ndërkohë, forcat serbe e intensifikonin terrorin. Lidhur me gjithë atë që ishte duke ndodhur dhe që pritej të ndodhte në Kosovë, presidenti i asokohshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klintoni vlerësonte, midis të tjerave:

“Ne, kemi të bëjmë me forcat e integrimit dhe çintegrimit, me forcat e globalizmit dhe të tribalizmit…!”

Lajmi i mirë erdhi përmes raketave dhe bombave

Në mbrëmjen e 22 marsit, në kafenenë “Koha” në lagjen e Pejtonit në Prishtinë u hedhë një masë eksplozivi. Aty u vra Arianit Kelmendi, kurse u plagosën rëndë: Jasim Jahaj dhe Agim Balaj. Në kafenenë “Magjik” (në lagjen “Kurrizi”), po kësaj mbrëmje nga rafalë automatikësh u plagos për vdekje Leonora Lutolli, ndërsa në lagjen “Bregu i Diellit”, u gjet i vdekur Kushtrim Gashi. Hija e luftës, praktikisht mbërriti edhe në Prishtinë. Ditën tjetër, më 23 mars forcat paramilitare dhe militare serbe vranë dhe u masakruan mbi 125 veta në fshatin Izbicë të Skënderajt (Drenicë), 5 persona u vranë në Suharekë dhe 1 person u vra në Obiliq. Një ditë më vonë, më 24 mars, pasoi vala e parë e bombardimeve. Ja si e përshkruan autori, këtë mbrëmje të shumëpritur:

“Sipas një skeme programore që ishte e trashëguar nga koha e ish-Jugosllavisë, pothuajse të gjitha televizionet (në Zagreb, Beograd, Podgoricë, Prishtinë etj.), editonin lajmet qendrore të mbrëmjes në të njëjtën kohë: fiks në orën 19:30 minuta. Më duket që ishte ora 7 e 37 minuta, spikerja e RTCG ( Podgoricë), ndaloi në mes të editimit dhe e paraqiti lajmin ekskluziv-botëror. Ndër të tjera, ajo tha: “… nga baza e Avianos në Itali, janë ngritur aeroplanët bombardues të NATO-s dhe, janë duke fluturuar në drejtim të Jugosllavisë dhe Kosovës”.

Të gjitha të tjerat, sot dihen. Megjithatë, ka mbetur i “pathënë apo i pashkruar” sa duhet lajmi i mirë përmes raketave dhe bombave. Askush nuk mund ta përshkruajë kët moment gëzimi të popullit të Kosovës. Ishte, sikur ardhja e Jezu Krishtit në tokë:

Text Box:  “Rreth orë 20:00, u dëgjuan shpërthimet e para. Në Prishtinë. Rrethinës…! Shpërthimet erdhën tmerrësisht të forta. Të forta dhe aso shpërthime që ne, s’i kishim dëgjuar kurrë më parë. Nuk ishin bubullima. Shtypja e madhe goditëse, jehu i tyre përcjellë me një diametër të madh drite, e lëkundi gjithë kryeqytetin. Toka u dridh s’i nga tërmeti. Qielli u zbardh. Shënjestrat e para të goditjeve, ishin objektet me rëndësi të veçantë policore dhe ushtarake. U goditën depot e armëve në Hajvali (atje është edhe poligoni i stërvitjeve të Njësive Speciale të Policisë dhe Qendra Speciale për rrethana lufte e televizionit (RTP-së). Pastaj u goditën depot e armatimit në Gërmi, kazerma ushtarake kryesore e armatës serbe në Prishtinës “Marshal Tito” që ndodhet në perëndim të krye-qytetit, Aeroporti etj.”, rrëfen në librin e tij, z. Ajvazi duke qenë i ndodhur në këtë mbrëmje të 24 marisit 1999 në lagjen Bregu i Diellit të Prishtinës së bashku me gruan e tij Shpresa dhe me djalin gjashtë muajsh: Etnikun!

Dita e gjatë sa një shekull

Ishte e kuptueshme se gëzimi do të zgjaste pak, ani se një gëzim mitologjik. Nuk kishte dyshim se serbët do të hakmerreshin në mënyrën e tyre barbare. Dhe nata kishte rënë. E nuk dihej se çfarë dhe si po kalonin orët e para, me një fjalë si u pasqyrua pastaj gjendja në terren në kuptimin e evidentimit substancial të asaj se çfarë panë me sytë e tyre, sa vuajtën dhe çka përjetuan mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës! Brenda një territori prej më pak se 12 mijë kilometra katrorë, makineria serbe e luftës para fillimit të bombardimeve solli në Kosovë mbi 120 mijë forca të armatosura, agjentë, administratorë etj., të gjithë të sistemuar, pa llogaritur civilët vendorë – serbët që jetonin së bashku me shqiptarët. Në librin e tij “Në mbretërinë e vdekjes” z. Ajvazi, sjell rrëfime autentike, pjesë ditari – pasqyrë e ngjarjeve dhe përjetimeve individuale, e që përbëjnë pastaj, edhe kornizën kolektive të përgjithshme të historisë. Ja si e përshkruan z. Ajvazi, gjysmë natën e asaj që tashmë kishte filluar:

“Ora, është 4:55 minuta e një dite të 25 marsit, 1999. E kam marrë një laps me ngjyrë të kaltër dhe një fletore të vjetër, të shohë nëse mund të vazhdojë t’i shkruaj pakëz rreshta fjalësh të këtyre orëve që s’kanë shpjegim. Padyshim, nën dritën e mekur të qiririt. Rrymë nuk ka. Por edhe po të ketë, kush do ta ndezë dritën sonte? Mezi e lëvizi dorën nën dritën e mekur të qiririt, ndërsa që dua t’i hedhë në letër përjetimet e mia, absolutisht të panjohura, të pashpjegueshme. Ndihem si në koma, ose si i ringjallur nga një vdekje. Koka më bubullon, veshët më ushtojnë. Filloi…! Po, bombardimet më në fund filluan. Sikur t’i kishit parë e dëgjuar? Hata. U gëzova pa masë. Por edhe jam shqetësuar. Eh, e kam të vështirë, e kam shumë të vështirë që t’u shmangem mendimeve të trishtueshme që më vijnë dhe ma mbështjellin kokën deng. Askush s’e di se çdo të ndodh tash e tutje, as si do të jetë fati ynë individual dhe kolektiv. Askush s’e di se kur do të përfundojnë bombardimet, megjithëse fundi i tyre do të varet nga fakti se, sa do të mund t’i sfidojë Beogradi ato. Bombardime e qetësi, qetësi varri e bombardime përjetojmë orë e çast. Orët, sidomos, janë kthyer në “orë vitesh”. Si me ecjen e një dinozauri, përngjan ecja e kohës. Por, megjithatë, “Dita 24” po largohet zvarrë-zvarrë si gjarpër gurinash, duke na lënë në vorbull: të gëzuar, në njërën anë, që po goditet Beogradi, dhe të shqetësuar, në anën tjetër, me hapat e panjohur që do t’i ndërmarrë kundër nesh Beogradi, qysh tani. I kemi mbyllur dritaret e banesës, që të mos duket asgjë prej së jashtmi. Kudo mbretëron një qetësi varri. Kryeqyteti, i tëri është mbërthyer në heshtje të pashembullt. Qe nja dy orë, sulmet kanë pushuar. Ato kanë qenë, siç kam mundur t’i kuptoj, të stuhishme, sa s’ka. Por, ne s’e dimë se çfarë ka ndodhur jashtë mureve të banesave dhe shtëpive tona. Cilat janë pasojat e këtyre bombardimeve të para? E vetmja, nata, është dëshmitare e këtyre goditjeve…”. (Versioni anglisht: “Mesazhe nga errësira”, fq. 44.)

Përjetimet, frika dhe shqetësimi, përshkrimet, gjendja si në një botë tjetër ngase shqiptarët janë në tokë dhe aeroplanët e NATO-së qiellit, të parët (shqiptarët) janë gjithandej, nën mëshirën e mbi 120, 000 forcave të mobilizuara serbe dhe civilëve të armatosur. Në nënkapitullin “Letër të gjallëve dhe të vdekurve” (Kapitulli V: “Fletëza të përgjakura ditari”), më së miri hetohet gjendja, makthi, dhe pesha e Text Box:  ombrellës së mbretërisë së vdekjes: “Mirëmëngjesi të gjithëve, të gjallët dhe të vdekurit e mi! Mbase e dini se çka ka ndodhur në Kosovë kësaj nate që po ikën!? S’kam ç’t’ju them, s’di, në këto momente jam pa fjalë. Veç ju dëshmojë që bombardimet filluan mbrëmë…”.   

Në vijim, lidhur me ditën e gjatë, të pafundët të 25 marsit, Ajvazi shkruan:

“Sot është dita e katërt e pranverës. Sulmet e NATO-s janë të rrepta. Sulmet s’janë ndalur, pothuajse gjatë gjithë natës. Ka shumë të ngjarë që Prishtina të jetë vënë në shënjestër, si një nga caqet kryesore të goditjeve të aeroplanëve të NATO-s. As unë dhe as gruaja, s’kemi bërë asnjë pikë gjumë. Mbase, as të gjithë ata që kanë arritur ta presin këtë mëngjes, të gjallë. A flihet mbi zjarr?

Shpërthime të bombave dhe të raketave “Kruiz”, ka pasur me gjasë nëpër tërë Kosovën. Por, ne s’e dimë ende se çfarë ka ndodhur, si është gjendja? Kanë vazhduar edhe eksplodimet e depove të municionit në Hajvali. Ato, s’janë duke u ndalur as tash.

Mëngjesi ka aguar. Kur i shkruaj këto radhë, në çaste molisjeje të papërshkrueshme fizike dhe shpirtërore, ora është 7:15 minuta. Si një dinozaur, errësira po ikën. Aurora e një nate pa fund, gjithashtu, po shkrihet në horizont. Ndarja e natës nga dita, fillon mbi Hajvali. Ky, të dashurit e mi, është mëngjesi i parë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi “RFJ” dhe mbi Kosovë, mbi Ballkan. Ajo që ishte folur e përfolur tash e sa kohë (herë si “politikë”, herë si formulë për “dialog”, herë si “mesazh e kërcënim”, “herë si mënyrë e zgjidhjes së problemit” adresuar Beogradit), ka filluar të bëhet realitet.

Jam afruar ngadalë dhe me kujdes në një qoshe të dritares, të dritares së dhomës që bie nga ana lindore e banesës. Përtej cepit të shmangur të perdes, arrijë t’i shoh kodrat e ulëta-xhuxhe dhe të zhveshura, andej mbi lagjen e Matiqanit. Askush s’lëviz. As qentë, as sorrat. As s’këndojnë zogjtë e mëngjesit, ndonëse, ka nisur stina e pranverës…”.

Shënime nga errësira

Një fillim, bombardimet ngjanin si me tërmetin, pastaj gjithçka ishte kthyer në një ‘tunet’ ku sundonte vetëm muzgu dhe forcat serbe të cilat, kishin në duart e tyre jetën e mbi 1 milion shqiptarëve të Kosovës. Pra, aeroplanët e NATO-s ishin në qiell si skifterët mbrojtës, por njerëzit ishin të tokë mes hienave vrasëse. Askush nuk e dinte se çka do të ndodhur pas kësaj nate të gjatë, si do të zhvilloheshin ngjarjet e ditës së re, me sa të vrarë do të agonte mëngjesi, me sa të masakruar do të ushqehej “vdekja” mes orëve, ditëve, dhe javëve të Kosovës…!

Kosova dhe populli i saj, ishin në kthetrat e bishës së uritur serbe. Dhe, ja si e përshkruan z. Ajvazi këtë gjendje të konceptuar me “copëza të përgjakura ditari”: 

“Gjërat ushqimore që kam siguruar, janë edhe për Nikun e vogël. Të tjerat (bukë, makarona, sheqer, vaj, kripë, miell, lëngje…), do na dalin, besoj, për dy-tri javë. Rryma elektrike gjatë natës (me gjasë), do të ndalet vazhdimisht. Kjo për arsye të sofisitikimit e kamuflimit nga aeroplanët. Serbët të frikësuar nga bombardimet, duan më shumë errësirë. Edhe ne, të frikësuar nga serbët, i kemi kamufluar dritaret e dhomave në mënyrë që kur të bie nata të mos duket as një grimë drite nga jashtë.

Mbrëmja e dytë e bombardimeve vijën edhe më e stuhishme se e para. Unë nuk flejë deri në mëngjes. Gruaja, sapo fillojnë bombardimet, e futë kokën nën jorgan dhe hyn “në botën e letargjisë”. Mua po më bënë shoqëri Niku, i cili, natyrisht, nuk kupton gjë prej gjëje lidhur me atë se çfarë është duke ndodhur rreth e rrotull. Nëpër gjysmerrësirë ai m’i prek duart, gëlinë dhe lëshon zëra të pa artikuluar, por që, natyrisht, janë zëra të mbushur me dashuri e jetë. I ofrojë ujë, qumësht, biskota, por jo edhe lodra. Zhurmës duket që i ruhemi së bashku, ani që ai nuk e di se përse.

Befas, krejt befas, vijnë aeroplanët e NATO-s. Po kaq befas, vijnë edhe shpërthimet. Aeroplanët bombardues të NATO-s thuhet që janë të shpejtë si zëri. Përpiqem vazhdimisht që së paku Etnikun, të mos e “zënë” në befasi zhurmat e hekurta të aeroplanëve, dhe shpërthimet vullkanike të bombave dhe raketave. Eh, rëndom në këto çaste, sapo ai e dëgjon zhurmën, stepet, dridhet pakëz, zgurdullon sytë e njomë dhe pastaj ndalet e nuk lëviz fare. E çuditshme: nuk lëshon asnjë zë. Unë menjëherë e marrë në prehër, me kujdes, e shtrëngoj ngadalë ledhatueshëm, i flas duke i dhënë të kuptojë (aq sa mund të kuptojë një fëmijë), që e gjithë puna është se, bëhet fjalë për njëfarë “loje” të momentit dhe se kjo “histori” s’ka të bëjë asgjë me te. Pa harruar, ia mbylli pastaj edhe veshët me shuplakat e duarve. Që ta habisë sa më shumë, i flasë pastaj çfarëdo që më bie ndërmend, ama çfarëdo që më kujtohet. Pse? Sepse, sidomos pas zhurmës së aeroplanëve (në një interval prej katër-pesë sekondave),vijnë edhe goditjet e bombave dhe të raketave. Shpërthimet e tyre nganjëherë janë më të largëta dhe krismat e dridhjet, më pak tronditëse. Por në disa raste, sidomos kur aeroplanët godasin brenda në kryeqytet, shpërthimet dhe krismat për nga intensiteti i forcës goditëse, nuk mund të merren me mend. Jo vetëm dridhet e lëkundet gjithçka, por zemra të luan nga kraharori…”.

Duke u kthyer në kohë, në këtë raport analitikë mbi këtë libër, është e pamundur të vazhdojmë më tej me shtjellimin e kapitujve dhe të nënkapitujve sepse, secili kapitull (libri ka gjithsej, nëntë kapituj) dhe nënkapitull është më emocional, më i detajuar dhe më dramatikë se tjetri. Janë të këtillë, nënkapitujt si në vijim: Izolimi, Motive nga ferri, Zoti i luftës, Një telefonatë nga larg, Pasqyrë e lajmeve të pakonfirmuara, Shënime nga errësira, Mungesa e qirinjve, Mungesa e ushqimeve, Dita e zezë, Mynxyra e largimit, Në zonën neutrale, Kalimi në Maqedoni, Behxhet Vrënezi, Nata e parë pa Kosovën, Toka e djegur.

Pastaj, krejt në fund nënkapitujt: Kapitullimi i Beogradit, Përshkrimi i një dite që s’përshkruhet dhe Takimi lamtumirës…

Biografia e autorit:

Fehmi Ajvazi, lindi më 23 shtator të vitit 1962, në Gjilan (Kosova) Shkollën fillore e mbaroi në Zhegër, kurse të mesmen (drejtimi i Kulturologjisë), në Gjilan. Ka absolvuar në Fakultetin Juridik, ndërsa ka mbaruar Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, ka mbaruar ligjëratat për Magjistraturë në drejtimin Administrativ-Politik në Universitetin “Dardania” të Prishtinës. Fehmi Ajvazi, që herët ka filluar të merret me krijimtari artistike-letrare. Në vitin 1988, e fillon punën në cilësinë e gazetarit të rregullt në gazetën universitare “Bota e re”, deri në vitin 1992. Gjatë vitit 1995-99, punoi në gazetën e përditshme “Bota Sot”, me qendër në Cyrih të Zvicër. Ka punuar në cilësinë e gazetarit edhe në gazetat e përditshme “Epoka e Re”, “Rilindja”, dhe “24 Orë”. Gjithashtu, ka punuar si gazetar edhe në Agjencinë e Lajmeve “Kosovapress”, në Odën Ekonomike të Kosovës etj.

Ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në revistat kulturo-letrare-publicistike: “Identiteti”, “Focus”, “Kalendari Letrar” etj.

Gjatë kohës si gazetar dhe redaktorë, ka botuar me qindra lajme, raporte, intervista, analiza, komente, reportazhe etj. Krijimtaria e tij kulturo-letrare, dokumentare, historike dhe publicistike, përmbledh 17 botime në gjuhën shqipe.

Ka qenë Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2008/09).

Shkruan dhe boton në mediat e ndryshme në Prishtinë, Shkup, e Tiranë.

Go to TOP