OEK kërkon shfuqizimin e vendimit të ZRrE për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar për një aktvendim të ri të Gjykatës Komerciale në Prishtinë, i cili ka ardhur si rezultat i padisë së ushtruar nga bashkëpunëtorët e OEK, Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”. Ky aktvendim ka pezulluar vendimin e Zyrës Regullatore të Energjisë (ZRrE) për daljen në treg të lirë të energjisë për një nga anëtarët e Odës.

OEK shprehet se ky aktvendim duhet të shërbejë si një argument i fortë për ZRrE-në që të rishqyrtojë vendimin dhe të pezullojë aplikimin e tij për të gjitha bizneset, për të parandaluar dëmtimin e konkurrencës së lirë dhe për të mbrojtur bizneset, qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.

“Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje ZRrE-së që pa emocione, në mënyrë profesionale dhe transparente, të shfuqizojë vendimin për daljen e bizneseve në mënyrë të dhunshme në tregun e lirë të energjisë,” thuhet në njoftim.

Për më tepër, OEK njofton se të hënën, përmes Shoqërisë së Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, do të publikohen edhe pesë aktvendime të tjera, të cilat gjithashtu kanë aprovuar kërkesat e bizneseve për pezullimin e vendimit të ZRrE.

Oda Ekonomike e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen ligjore të bizneseve dhe do të vazhdojë me ngritjen e padive përmes bashkëpunëtorëve ligjorë dhe zyrës së juristëve të themeluar brenda OEK. /Kosova.info/


Go to TOP