Anglia e Franca në duelin që askush s`donte ta luante

Anglia dhe Franca do të përballen të shtunën në “Hard Rock Stadium” në Miami në ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës 2026, një duel që vjen pas zhgënjimit të madh të të dyja kombëtareve në gjysmëfinale.

Franca u eliminua nga Spanja pas humbjes 2-0, ndërsa Anglia pësoi një tjetër goditje të rëndë, duke humbur 2-1 ndaj Argjentinës, pavarësisht se ishte në epërsi deri në minutat e fundit.

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, e pranoi se ndeshja për vendin e tretë nuk është ajo që dëshiron asnjë futbollist.

“As lojtarët tanë dhe as ata të Francës nuk donin ta luanin këtë ndeshje. Të gjithë ëndërrojnë finalen dhe fitimin e Kupës së Botës. Megjithatë, do ta përgatisim këtë sfidë me profesionalizëm”, deklaroi tekniku gjerman.

Për Francën, kjo ndeshje do të jetë edhe e fundit për Didier Deschamps në stolin e “Les Bleus”. Trajneri 57-vjeçar do të largohet pas përfundimit të Botërorit, duke mbyllur një epokë 14-vjeçare, gjatë së cilës fitoi Kupën e Botës në vitin 2018, arriti finalen në vitin 2022 dhe gjysmëfinalen në edicionin aktual.

Edhe Deschamps theksoi se skuadra do të luftojë për ta mbyllur turneun me fitore.

“Nuk arritëm aty ku dëshironim, por duhet ta pranojmë realitetin. Tani synimi ynë është ta fitojmë vendin e tretë”, u shpreh ai.

Përtej medaljes së bronztë, ndeshja pritet të ketë ndikim edhe në garën për “Këpucën e Artë” të Botërorit.

Kylian Mbappe ndan vendin e parë me Lionel Messin me nga tetë gola, ndërsa Harry Kane dhe Jude Bellingham kanë realizuar nga gjashtë gola secili dhe mund të rikthehen në garë me një paraqitje të mirë ndaj Francës.

Për Kane, kjo mund të jetë edhe ndeshja e fundit në një Kupë Bote. Sulmuesi i Bayern Munich mbush 33 vjeç këtë muaj dhe nuk ka dashur të flasë për të ardhmen me kombëtaren.

Ndërkohë, Tuchel pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, duke u dhënë mundësi lojtarëve që kanë pasur më pak minuta gjatë turneut, ndërsa Deschamps mund të aktivizojë edhe mesfushorin me përvojë N’Golo Kanté, i cili ende nuk ka luajtur në këtë Botëror.

Pavarësisht se nuk është finalja e ëndërruar, Anglia dhe Franca do të kërkojnë ta mbyllin Kupën e Botës 2026 me një fitore dhe me medaljen e bronztë.


Go to TOP