KEK: Projekti për Njësinë A3 nuk është anuluar, por pezulluar përkohësisht

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka reaguar ndaj raportimeve të fundit, duke sqaruar se projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A” nuk është anuluar, por është pezulluar përkohësisht për shkak të një ankese të paraqitur në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

KEK thekson se pezullimi është një procedurë standarde ligjore që ndodh automatikisht me dorëzimin e një ankese, siç është paraparë me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP). Në këtë rast, pezullimi do të zgjasë derisa OSHP të marrë një vendim zyrtar.

“Ky nuk është as rasti i parë e as i fundit kur një procedurë prokurimi pezullohet për arsye procedurale. Më 2 korrik 2025, Zyrtari i Prokurimit i KEK-ut ka dorëzuar kërkesën për heqjen e pezullimit në OSHP, bazuar në nenin 112, paragrafi 2 të LPP-së,” thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Korporata thekson se ankesa është e pabazuar dhe ka kërkuar që OSHP ta trajtojë rastin me prioritet, duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të projektit për sigurinë energjetike të Kosovës.

Sipas KEK-ut, kjo bindje për mbështetjen e projektit është forcuar edhe nga raporti i Ekspertit Shqyrtues të OSHP-së (nr. lëndës 2025/0579), i cili ka rekomanduar refuzimin e ankesës si të palejuar.

KEK ka ritheksuar përkushtimin për një proces transparent dhe të drejtë, të zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik, me dokumentacion të përgatitur nga ekspertët e KEK-ut dhe me ndihmën profesionale të konsulencës së USAID, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“KEK mbetet i përkushtuar që me vendosmëri ta çojë përpara këtë projekt deri në finalizimin e tij, pavarësisht çdo përpjekjeje për të cenuar integritetin e procesit përmes dezinformatave,” thuhet në fund të reagimit.

Korporata u bën thirrje të gjitha palëve që të shmangin përhapjen e dezinformatave dhe të kontribuojnë në një debat të drejtë, të bazuar në fakte, transparencë dhe ligjshmëri. /Kosova.info/

Go to TOP