Zelensky dhe Trump bien dakord për të forcuar mbrojtjen ajrore

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të premten se ka biseduar për mbrojtjen ajrore me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe se janë pajtuar për të punuar për rritjen e aftësive të Kievit për ta “mbrojtur qiellin” teksa sulmet ruse po përshkallëzohen.

Zelensky shkroi në llogarinë e tij në Telegram se me liderin amerikan folën gjithashtu rreth prodhimit të përbashkët në industrinë e mbrojtjes, si dhe për blerjet dhe investimet e përbashkëta.

Ukraina ka kërkuar nga Uashingtoni që t’i shesë më shumë raketa dhe sisteme Patriot, të cilat i sheh si tejet të rëndësishme për t’i mbrojtur qytetet e veta nga bombardimet përshkallëzuese nga Rusia.

Një vendim i Uashingtonit për t’i pezulluar disa dërgesa armësh për Ukrainën e ka nxitur Kievin të paralajmërojë se kjo do t’i dobësonte aftësinë e tij për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse dhe përparimet në fushëbetejë.

Gjermania tha se është në bisedime për blerjen e sistemeve mbrojtëse ajrore Patriot për ta mbushur boshllëkun.

Një ditë më parë, Trump tha se zhvilloi një telefonatë zhgënjyese me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Rusia goditi Kievin me sulmin më të madh me dronë që nga fillimi i luftës në kryeqytet, vetëm disa orë pas bisedës së Trumpit me Putinin të enjten.

Zelensky e quajti atë sulm “të qëllimisht masiv dhe cinik”.

Ndërkohë, kancelari gjerman, Friedrich Merz, bisedoi me Trumpin për mundësinë që Gjermanisë të blejë sisteme mbrojtëse ajrore Patriot për Ukrainën, sipas një zëdhënësi të qeverisë gjermane.

Merz ishte iniciator i telefonatës me Trump për t’i promovuar dërgesat e armëve në Ukrainë, veçanërisht raketat Patriot, pas vendimit të Pentagonit për të pezulluar disa dërgesa, tha zëdhënësi për Reuters të premten.

Trump dhe Zelensky do të flasin në telefon

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti amerikan Donald Trump ka të ngjarë të flasin në telefon këtë pasdite.

“Po përgatitet për këtë pasdite, por gjithçka do të finalizohet në minutën e fundit”, i tha agjencisë së lajmeve një zyrtar anonim ukrainas, raporton AFP.

Njoftimi vjen një ditë pasi Trump foli në telefon me presidentin rus Vladimir Putin. Biseda ishte e pafrytshme, sipas Trump.

“Jam shumë i zhgënjyer nga biseda me presidentin Putin”, tha Trump të enjten vonë.

Një temë e mundshme e bisedës midis Trump dhe Zelensky është embargoja e armëve e shpallur së fundmi nga SHBA-të ndaj Ukrainës. Sipas Trump-it, SHBA-të i kanë dhënë Ukrainës “shumë armë”.

“Duhet të sigurohemi që kemi mjaftueshëm për veten tonë”, tha ai të enjten.


Go to TOP