Shoqata e Industrisë së Qumështit sfidon Shoqatën e Qumështarëve: Publikoni mandatin dhe anëtarësinë
Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës duke vënë në dyshim legjitimitetin e saj për të folur në emër të sektorit të qumështit.
Në reagim, Shoqata e Industrisë së Qumështit kërkon që Shoqata e Qumështarëve të bëjë publike listën e anëtarëve, strukturën drejtuese, numrin e përpunuesve të licencuar që përfaqëson, procesverbalin dhe vendimin me të cilin është miratuar deklarata, si dhe burimet e financimit dhe mandatin mbi të cilin pretendon se përfaqëson qumështarët e Kosovës.
Sipas reagimit, një pjesë e konsiderueshme e industrisë së përpunimit të qumështit nuk e njeh këtë organizatë si përfaqësuese të sektorit, ndërsa theksohet se pa transparencë mbi këto çështje askush nuk mund të pretendojë se flet në emër të gjithë industrisë.
Shoqata e Industrisë së Qumështit thekson se mbështet hetimet e ligjshme, mbrojtjen e konsumatorit dhe zbatimin e ligjit, por e konsideron të papranueshme që pretendimet apo interesat individuale të paraqiten si qëndrim i përbashkët i sektorit.
Në fund, ajo vlerëson se industria e qumështit ka nevojë për bashkëpunim, stabilitet, politika zhvillimore dhe përfaqësim të vërtetë duke shtuar se opinioni publik ka të drejtë të dijë se kush flet në emër të sektorit dhe me çfarë mandati. /Kosova.info/
