Shahini: Kosova nuk guxon ta humbasë besimin e SHBA-së, dialogu strategjik është jetik për vendin
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se lajmi për kushtëzimin e rifillimit të Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara me përmbushjen e zotimeve të marra duhet të shërbejë si një alarm serioz për institucionet e Kosovës.
Sipas Shahinit, SHBA-ja ka qenë dhe mbetet aleati më i rëndësishëm i Kosovës në rrugën drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar, ndërsa çdo ftohje e marrëdhënieve me partnerët strategjikë ndikon jo vetëm në aspektin politik, por edhe në klimën ekonomike, besimin e investitorëve dhe perspektivën zhvillimore të vendit.
Ai theksoi se biznesi ka nevojë për stabilitet, partneritet dhe besueshmëri ndërkombëtare, duke shtuar se Kosova duhet të mbrojë sovranitetin dhe rendin kushtetues, por njëkohësisht të ndërtojë politika të mençura, të koordinuara me aleatët dhe të respektojë obligimet e marra në proceset ndërkombëtare.
“Diplomacia nuk është dobësi; ajo është mjeti më i fuqishëm për të mbrojtur interesin shtetëror”, u shpreh Shahini.
Në fund, ai theksoi se interesi i Republikës së Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi interesat politike dhe partiake duke vlerësuar se vetëm përmes unitetit, përgjegjësisë institucionale dhe partneritetit të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët mund të sigurohet një e ardhme më e sigurt, më e zhvilluar dhe më e begatë për qytetarët e Kosovës.
“Urtësia dhe forca e një shteti nuk qëndron vetëm në mbrojtjen e sovranitetit, por edhe në aftësinë për të ruajtur besimin e aleatëve. Miqësitë strategjike ndërtohen me përgjegjësi, dialog dhe respekt ndaj zotimeve të marra”, përfundoi kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
