​Caktohen datat e Superkupës dhe nisjes së sezonit të ri në basketboll

Federata e Basketbollit e Kosovës ka publikuar vendimet e Bordit të saj, të marra në mbledhjen e mbajtur më 15 korrik 2026, ku janë përcaktuar edhe datat kryesore për fillimin e edicionit të ri garues 2026/2027.

Sipas vendimit të Bordit të FBK-së, Superkupa e Kosovës në konkurrencën e meshkujve do të zhvillohet më 15 shtator 2026, ndërsa sezoni i ri në Superligën e Kosovës pritet të nisë më 19/20 shtator 2026.

Po ashtu, janë caktuar edhe datat për garat e femrave. Superkupa e Kosovës për femra është planifikuar të zhvillohet më 23 shtator 2026, ndërsa Superliga e Femrave do ta nisë edicionin e ri më 26/27 shtator 2026.

Në mbledhjen e Bordit janë miratuar edhe një sërë vendimesh të tjera që lidhen me përgatitjet për sezonin e ri, përfshirë ndryshimet në Propozicionet e Garave, Rregulloren për Regjistrim dhe Kalim, si dhe dokumentet për licencimin e klubeve.

Bordi ka miratuar në parim edhe pakon e përgatitjeve për edicionin 2026/2027 si plan operacional të FBK-së, ndërsa është aprovuar edhe dokumenti “Identifikimi i Talentit dhe Zhvillimi Afatgjatë i Lojtarëve (LTAD)”.

Një pikë tjetër e diskutuar ishte situata e krijuar pas njoftimit të Dritës, ku FBK ka vendosur të përgatisë mekanizmat e nevojshëm për plotësimin e vendit vakant në Superligën e Kosovës, jo më vonë se deri më 31 korrik 2026.

Bordi gjithashtu ka vendosur që klubet e Superligës me obligime financiare ndaj FBK-së, të krijuara si pasojë e moszbatimit të detyrimit për organizimin e ekipeve të grupmoshave të reja, të kenë mundësi t’i shlyejnë ato përmes 10 kësteve mujore gjatë edicionit 2026/2027.

Ndër vendimet e tjera, është miratuar Manuali Kombëtar i Mini-Basketbollit dhe kalendari i kësaj kategorie për sezonin e ardhshëm, ndërsa disa çështje, përfshirë strukturën e garave të grupmoshave të reja dhe emërimin e komisioneve të garave, janë shtyrë për mbledhjen e ardhshme të Bordit.

FBK ka bërë të ditur se mbledhja e radhës e Bordit Ekzekutiv do të mbahet jo më vonë se në javën e parë të gushtit 2026.

Go to TOP