Një muaj para se të vdiste, Qosiq kishte thënë: Kosovën e kemi humbur, Serbia t’i kthehet Putinit – Millosheviqi figura më tragjike në historinë serbe

Akademiku serb, Dorica Qosiq, një muaj para se të vdiste (2014) kishte dhënë intervistën e fundit, në të cilën ka folur për Kosovën, luftërat, Vladimir Putinin, Sllobodan Millosheviqin.

“Mësimi im thotë: nuk ka më luftë për serbët. Ne nuk duhet të luftojmë më. Nuk kemi më potencial biologjik dhe as patriotik. Besoj se paqja është kushti i vetëm i ekzistencës sonë. Bëni kompromise, devijoni nga parimet nëse paqja duhet të ruhet. Betejat humbasin dhe fitohen në kohën e tyre. Në histori, ato kanë fatin e tyre në kohë. Historia mund t’i mohojë. Jo vetëm tonat, sigurisht. Merrni për shembull luftërat, revolucionet e Napoleonit… Çfarë ishte e përjetshme? “, kishte thënë në atë kohë Qosiqi në një intervistë për “Nedeljnik”, pjesë të së cilës ka publikuar gazeta “Mondo”.

Në konstatimin se heronjtë e tij në roman, po aq sa të gjithë ne [serbët] në histori, lavdërojmë miqësinë me aleatët, Qosiq atëherë përmendi presidentin rus Vladimir Putin.

“Aleati ynë i vetëm i vërtetë në kuptimin që përmendët sot mund të jetë Putini. Dhe vetëm ndërsa Putini është putinist. Unë nuk shoh figurë tjetër. Zonja Merkel është agresive dhe ajo jo vetëm që vepron me pasionin politik, por edhe revanshist. Gjermania është një nga investitorët më të mëdhenj. Dhe nëse rruga e Serbisë përcaktohet vetëm nga investimet e huaja, pa ide dhe besim në zhvillimin e saj të ekonomisë, atëherë kam frikë se deri ku do të mund të shkojmë në atë rrugë”, tha Qosiq.

Më pas Çosiq ka theksuar se kjo nuk do të thotë se Serbia duhet të kthehet drejt Lindjes dhe Rusisë.

“Jo Lindjes, por Putinit. Nuk më kuptuat mirë. Pra, Putint dhe atë derisa është putinist dhe jo vetëm Rusisë. Ne duhet të dimë se asnjë akt historik nuk është përfundimtar. Asnjë. Ata po ndryshojnë, dhe në raport për ta po ndryshojnë mundësitë”, kishte thënë Qosiq.

Duke folur për Kosovën, Qosiq tha se për të është zgjidhur çështja e Kosovës.

“Kjo do të thotë se ajo nuk ekziston më si krahinë jugore serbe. Ne e humbëm Kosovën në luftën me shqiptarët. Nëse kjo është përfundimtare, nuk mund të gjykojmë sot, sepse askush nuk e di se si mund të sajohet historia evropiane dhe ballkanike në shekujt e ardhshëm. Ose shekullin. Politika jonë nacionale ndaj Kosovës ishte e lidhur me çlirimin e Serbisë Jugore dhe Maqedonisë. Çështja e Kosovës u identifikua me çështjen maqedonase. Maqedonia u bë shtet pas Luftës së Dytë Botërore, po ashtu edhe Kosova ishte e humbur politikisht në luftën e  vitit 1999, dhe për atë çështje nuk duhet harxhuar as një atom të forcës. Unë e këshilloj brezin tuaj që të mos harxhojë energji për çështjen e Kosovës, sepse historia e ka zgjidhur atë përtej jush. Nuk mund të ndikoni më në rezultatet e tij”, tha Qosiq.

Duke iu referuar Sllobodan Millosheviqit, ai thotë se ish-presidenti i Serbisë nuk ka pasur ndonjë mundësi serioze për zgjidhjen e çështjeve kombëtare.

“Së pari ishte komunist, dhe së dyti, ishte titist. Në fund: situatën evropiane e vlerësoi shumë jo realisht. Nuk kishte aftësi dhe gatishmëri për të parë dhe kuptuar konstalacionin evropian. Aty bëri gabime të mëdha. Krejtësisht gabimisht e orientoi politikën tonë të jashtme. Ai është politikani i disfatës sonë kombëtare. Millosheviqi është në një farë mënyre figura më tragjike në historinë serbe. Për fatin. Në fund të fundit, mendoj se ai u vra. Dhe jeta e tij është tragjike dhe politika e tij është tragjike. Unë kam qenë kundërshtari i tij, ne kemi qenë krejtësisht të ndryshëm në politikë, por kur e mendoj sot, ai njeri është gjithashtu një viktimë e historisë sonë. Nuk e di se kush do të kalonte më mirë pot ë ishte në vendin e tij në atë kohë”, tha Qosiq.

Duke kujtuar kohën kur vetë Millosheviqi jepte shpresë se ai mund të jepte dorëheqjen në një moment të sundimit të tij, Qosiq thotë: “Propozimi të bëhem president erdhi nga Italia si përfaqësues i Bashkimit Evropian, të cilin unë e pranova me kusht që të hiqen sanksionet ndaj Serbisë dhe që Millosheviqi të jepte dorëheqjen. Millosheviqi tha se do ta bënte. Të njëjtën gjë ia tha Milan Paniqit. Dhe ai e mashtroi njërin dhe tjetrin. Dhe premtimi i tij ‘po, do të tërhiqem’ zgjati dy-tri ditë dhe më pas tha: ‘nuk dua, më zëvendësoni’. Unë nuk kisha parti, opozita nuk më mbështeti dhe nuk mund t’i bëja asgjë”, tha Qosiq.

Lidhur me atë se cili është interesi më i madh kombëtar serb sot, Çosiq tha se “paqja është gjëja më e rëndësishme”.

“Edhe zhvillimi ekonomik. Nuk i keni dy jetë, ai u takon tani juve dhe nëse nuk e realizoni veten, jeni të humbur. A jeni vërtetë të dënuar të jetoni në një vend pa punë dhe a i ofrohet brezit tuaj një udhëtim jashtë vendit si dëmshpërblim për këtë mjerim? Është një dënim i tmerrshëm për një brez. Nuk keni faj për politikën e gjyshit tuaj, babait tuaj dhe timen. Dhe ju po vuani padrejtësisht”, tha Qosiq.

Akademiku serb Dobrica Qosiq i njohur për qëndrimet e tij antishqiptare, ishte president i Jugosllavisë në periudhën 1992-1993. Ai vdiq më 18 maj 2014. 

Go to TOP