Nisma e Sorrosit për Doganat e Hapura, a ka ngjashmëri me “Open Balkan”?

George Sorros në fillim të viteve 2000-ta kishte propozuar që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në nismën “Doganat e Hapura”.

Sorros me anë të një shkrimi në Project Syndicate, kishte theksuar se Bashkimi Evropian duhet të përdorë perspektivën e integrimit evropian si mënyrë për të promovuar integrimin rajonal.

“BE-ja mund të veprojë si një magnet për ta afruar rajonin duke e afruar rajonin në tërësi me Evropën. Kjo ide ka një tërheqje të madhe për njerëzit në rajon, por vetëm BE-ja mund ta realizojë atë. Pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, liderët evropianë e bënë këtë qasje gur themel të vizionit të tyre për Ballkanin. I përfshirë në Paktin e Stabilitetit të nënshkruar në Samitin e Sarajevës në korrik 1999”, theksonte Sorros.

Ai kishte thënë se BE-ja duhet të propozoj planin trepikësh për Ballkanin, i cili përfshinë një bashkim doganor, një Tatim mbi Vlerën e Shtuar rajonal dhe një mbështetje e përkohshme buxhetore.

“Një bashkim doganor me qasje preferenciale në tregjet e BE-së brenda një viti. Bashkimi doganor ekzistues BE-Turqi duhet të përdoret si model. Pasi të gjitha këto vende të arrijnë marrëveshje me BE-në, automatikisht do të ketë tregti të lirë në të gjithë Ballkanin. Kjo do të marrë pak kohë për t’u zbatuar. Por që në fillim, BE-ja duhet të japë një sinjal duke hapur në mënyrë të njëanshme kufirin e saj për importet nga rajoni. Kjo nuk mund të rrezikojë asnjë interes të BE-së pasi vendet në fjalë tani kanë shumë më pak se 1 për qind të tregut të BE-së”, thuhet në njërën nga pikat e propozuara.

Sorros për këtë nismë e kishte përmendur edhe Kosovën si vend pjesëmarrës.

“Zona e përfshirë në këtë plan do të kishte Bullgarinë, Kroacinë, Shqipërinë si dhe Serbinë, Bosnjën e Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kosovën. Pjesëmarrja e Rumanisë dhe Moldavisë është opsionale. Bullgaria dhe Kroacia mund të binden të marrin pjesë me kusht që të mos ndërhyjnë në kandidaturën e tyre për anëtarësim në BE. Në varësi të vendit, mund të ketë pak a shumë mbështetje buxhetore”, kishte thënë Sorros.

A ka ngjashmëri me Open Balkanin?

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Pas mbajtjes së dy takimeve, njëra në Ohër më 11 nëntor 2019 dhe tjetra më 12 dhjetor 2019 në Durrës, këto vende deklaruan se do të formojnë një treg të unifikuar prej 12 milionë banorësh deri në fund të vitit 2020. Në samitin e Ohrit, presidenti i Serbisë, kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u pajtuan për krijimin e një zone ekonomike, e cila do të “përmirësonte më tej marrëdhëniet politike dhe ekonomike dhe do të forconte lidhjet kulturore midis kombeve”.

Emri i mëparshëm i referohej si Mini-Shengen, një zonë e përbashkët udhëtimi që përfshin 26 vende evropiane, por jo vendet e lartpërmendura të Ballkanit.

Sipas përshkrimit, synimet e Open Balkan janë të ofrojë mundësi më të mëdha për tregti, shkëmbime studentore dhe të inkurajojë integrimin në BE në shtetet anëtare.

Më 29 korrik 2021, Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev morën pjesë në forumin për bashkëpunim ekonomik rajonal në Shkup, ku nënshkruan marrëveshje për lëvizjen e mallrave, qasjen në tregun e punës dhe bashkëpunimin në mbrojtje nga fatkeqësitë. Është pajtuar për pranimin e ndërsjellë të diplomave dhe kualifikimeve të punës, duke i bërë të gjitha forcat e punës më fleksibile dhe të disponueshme dhe duke tërhequr kështu më shumë investime.

Në këtë nismë, deri më tani nuk është e përfshirë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. 

Go to TOP