BQK: Dërgesat e mërgatës në mars, mbi 112 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës njofton se mbi 112 milionë euro është vlera dërgesave të mërgatës që janë sjell në Republikën e Kosovës për muajin mars 2024.

Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve të tjera financiare për këtë periudhë, të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera totale e tyre për tre muaj, sipas vlerësimeve, ka arritur në 284.07 milionë euro.

Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jobankare me pjesëmarrje prej 64.46-përqindësh, pasuar nga kanalet e tjera me 23.34 për qind dhe bankat me 15.20 për qind.

Ndër të tjera, BQK tregon se për sa iu përket aseteve të kompanive të sigurimit, deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 314.83 milionë euro, duke shënuar rritje prej 2.11 milionë eurosh krahasuar me shkurtin e 2024-s.

Ndërsa asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.87 miliardë euro, e cila përfaqëson rritje për 74.14 milionë euro.

Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve të tjerë financiarë në fund të muajit mars 2024 janë rritur për 9.26 milionë euro, duke arritur vlerën e 564.49 milionë eurove. /Kosova.info/

Go to TOP