240 të rinj përfitojnë trajnime falas në teknologji informative

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve,. Hekuran Murati, menaxheri i projektit Fit for Jobs z. Tobias Seiberlich dhe drejtoresha e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, znj. Jehona Rexha takuan sot përfituesit nga skema e kuponëve për trajnim në teknologji informative. 

Në kuadër të kësaj skeme, të rinjtë kanë përfituar kuponë trajnimi në fusha të ndryshme të teknologjisë informative nga marketingu, dizajni e deri te programi e rrjetet kompjuterike.

Ministri Murati ritheksoi mbështetjen e Qeverisë në ngritjen e kapaciteteve për tranzicion më të lehtë nga edukimi në punësim. Me këtë rast, u shpreh se “nga ana jonë, për ta bërë tranzicionin tuaj më të lehtë për tregun e punës, kemi dedikuar platforma dhe masa të veçanta, si superpuna e Kosovo Generation Unlimited.” 

Nga ana e tij, z. Tobias theksoi bashkëpunimin e suksesshëm në mes të GIZ dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në zbatimin e një sërë politikash, me qëllim aktivizimin e të rinjve në tregun e punës. 

Drejtoresha Rexha ftoi të rinjtë që të regjistrohen në zyrat e punësimit në komunat e tyre, ashtu që të mund të përfitojnë nga ofertat e ndryshme nga Agjencia e Punësimit.

Në pjesën e dytë të takimit , të rinjtë patën mundësi të mësojnë më shumë lidhur me masat që ofron Qeveria nga këshilltarët e punësimit të APRK. /Kosova.info/

Go to TOP