​Në përvjetorin e Verrave të Llukës, hoxhë Latifi pajton dy familje në Mitrovicë

Në xhaminë e Shipolit në Mitrovicë, të premten sot është arritur pajtimi mes dy familjeve pas një periudhe të gjatë hasmërie, veprim ky që sipas imamit të këtij objekti fetar, u quajt diçka që ia kthen shpresën shoqërisë kosovare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë hoxha Fatmir Latifi, i njohur edhe si pajtues dhe ndërmjetës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shqiptarëve.

Sipas tij, dy familjet kanë vendosur të lënë pas konfliktin dhe të zgjedhin rrugën e faljes dhe mirëkuptimit.

“Pas një periudhe të gjatë hasmërie, dy familje vendosën të lënë pas dhimbjen dhe të zgjedhin rrugën e faljes, respektit dhe pajtimit. Ky moment nuk ishte vetëm një marrëveshje mes tyre, por një shembull i fuqishëm për gjithë komunitetin, që paqja gjithmonë është më e fortë se përçarja”, ka shkruar ai në Facebook.

Hoxhë Latifi ka theksuar se pajtimi dhe falja janë vlera thelbësore për shoqërinë.

“Pajtimi është forcë. Falja është burrëri”, është shprehur ai.

Sipas tij, ky akt përfaqëson një fitore jo vetëm për familjet e përfshira, por për gjithë komunitetin në Mitrovicë.

“Sot, Mitrovica fitoi më shumë se dy familje, fitoi uniteti”, shkroi Latifi.

Ky akt u krye në një datë simbolike që lidhet me aksionin e madh të pajtimit të gjaqeve, që ishte mbajtur më 1 maj 1990 te Verrat e Llukës në Decan.

Këtu, në këtë datë, nën organizimin e Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, qindar mijëra qytetarë nga mbarë Kosova u mblodhën për të dëshmuar fuqinë e faljes, unitetin kombëtar dhe për të shuar një plagë të vjetër të shoqërisë shqiptare – gjakmarrjen.


Go to TOP