Teherani dorëzon një propozim të ri të marrëveshjes me SHBA-në

Burime të ndryshme diplomatike u kanë thënë mediave ndërkombëtare se Teherani zyrtar, përmes ndërmjetësuesve pakistanezë, ka dorëzuar një propozim të ri për marrëveshjen, e cila synon të krijojë një zgjidhje afatgjatë për tensionet me Iranin dhe të garantojë paqe mes SHBA-së dhe Iranit.

Disa diplomatë kanë bërë të ditur se Irani, në propozimin e ri, ka shfaqur gatishmëri për kompromis, por deri më tani nuk janë publikuar informata se çfarë përmban ky propozim.

Deri tani, askush nga pala amerikane nuk ka komentuar lidhur me propozimin e ri iranian. Megjithatë, presidenti amerikan, Donald Trump, më herët ka deklaruar se askush përveç tij dhe ndoshta disa personave të tjerë nuk e di statusin e bisedimeve. Ai shtoi se SHBA-të do të detyrohen të rinisin luftën me Iranin në rast se nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

Edhe pse të dyja palët vazhdojnë t’i përmbahen armëpushimit, i cili ndali operacionet luftarake, situata mbetet tejet e tensionuar. Irani vazhdon të mbajë të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, ndërsa marina amerikane mban bllokadën e porteve iraniane. Forcat ushtarake të të dy vendeve mbeten në gatishmëri të lartë.

Ndërkohë, nga Libani raportohet për valë të reja të bombardimeve izraelite në pjesë të ndryshme të vendit. Sipas burimeve libaneze, që nga orët e mëngjesit të paktën 12 civilë janë vrarë si pasojë e bombardimeve, ndërsa Tel Avivi thotë se aviacioni izraelit ka goditur vetëm caqe të ndërlidhura me Hezbollahun.

Njëkohësisht, ka njoftime se, pavarësisht zotimit për ndalimin e operacioneve, forcat mbrojtëse të Izraelit kanë vazhduar të konsolidojnë kontrollin në jug të Libanit dhe të krijojnë kushte për kontroll të plotë të asaj pjese të vendit, ndërsa Hezbollahu ka njoftuar se luftëtarët e tij kanë kryer të paktën shtatë sulme ndaj forcave izraelite që nga mëngjesi.


Go to TOP