Ndërpriten punimet për shkak të moskompensimit të disa pronave private

Ndonëse punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë nisën dy javë më parë, ato janë ndërprerë në fshatin Studime të Vushtrrisë. Shkak për këtë, është bërë moskompensimi i disa pronave.

Nurhan Rashica nga fshati Studime e Vushtrrisë, punimet po i shikon nga afër, por në tokën e tij nuk po lejon assesi të kryhen. Ai thekson se nuk i është kompensuar prona prej 30 ari.

Sipas tij, derisa të bëhet shpronësimi, makineritë nuk do të punojnë në tokën e tij.

“Është prone e jona dhe nëse nuk behet shpronësimi nuk do te vazhdojnë këtu punimet. Është e drejta jonë, është pasuria jonë. Edhe pse na vjen keq t’i ndërprejnë, është projekt nacional dhe në dobi tonën, por tokat duhet të shpronësohen”, tha ai.

Ndërkohë, puna në këtë anë po vazhdon në tokat tjera.

Zëvendësministri në Ministrinë e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dha sqarimin për RTK-në për kërkesat e pronarëve të tokave.

“Ne i kemi bërë të gjitha shpronësimet, ka pronar që nuk janë lajmëruar dhe mjetet janë bartur në thesarin e Bankës Qendrore që më pastaj të ju transferohen në xhirollogaritë private. Ne kemi pasur një bisedim sot në lidhje me këtë. Kjo është thjesht çështje procedurash”, tha ai.

Kurse nga Ministria e Financave thanë se kjo ministri bën vetëm vlerësimin e pronave dhe për këtë projekt punët kanë përfunduar brenda afateve ligjore.

Go to TOP