Zjarri `godet` fermerët, kritikohen ashpër zjarrfikësit 

Pas zjarrit që ka ndodhur në fabrikën e frutave të imëta në Kërpimeh të Podujevës, emisioni “Udhëve” në RTK, ka hulumtuar për kapacitetet dhe kohën e reagimit të zjarrfikësve të kësaj komune. Përveç pasojave të mëdha që zjarri ka shkaktuar në fabrikë në emision paraqiten edhe shqetësimet e fermerëve rreth plasimit të produkteve të tyre.

Djegia e fabrikës së frutave të imëta në Podujevë ka ngjallur një reagim të kompanisë Kastrati, të cilët fajtor për dëmet në kompaninë e tyre i lënë edhe Brigadën e zjarrëfikësve në Podujevë.

“Këtu zjarri ka ndodhë të dielën, vikend veç sigurimi…as se kemi ditë që është mrenda tu punu aty. Kemi qenë këtu, jemi mundu me fikë, e kemi ndalë flakën. I kemi thirrë zjarrfikësat, pa kamion kanë ardhë, me një makinë të vogël, pas 45 minutash. Nuk kemi mund me largu asnjë pajisje me vlerë. Çka ka ekzistu është shkatërru”, tha Valon Kastrati, pronar i kompanisë “Kastrati”.

Komandanti i njësisë profesionale të zjarrëfikësve dhe shpëtimit, në Podujevë Milaim Ajvazi ka treguar edhe për kohën kur kanë marrë informatën për zjarrin në fabrikën e frutave në Kërpimeh. Ai thotë se pretendimet e kompanisë nuk qëndrojnë.

“Neve sa për informimin tuaj informatën e kemi marrë në 10.50, në ora 11.00 në vend ngjarje, kemi parë që zjarri është i përmasave të mëdha. Kapacitetet janë të kufizuara, kemi kërku ndihmë në Prishtinë. Zjarri ka qenë i madh me pasoja të mëdha materiale. Ne si njësi jemi në operativë, e kemi për obligim ta luftojnë zjarrin ndërkaq me shkaktarin merret hetuesia”, tha Ajvazi.

Megjithatë barrën e rëndë të djegies së fabrikës nuk e bartë vetëm pronari i saj Valon Kastrati. Janë punëtorët dhe qindra fermerë ata që po bartin pasojat e zjarrit që nuk arritën ta fikin as zjarrëfikësit e as të pranishmit tjerë.

Nëse fabrika nuk ndihmohet që të rimëkëmbet qoftë nga niveli komunal apo ai qendror, fermerët kanë dilema se çfarë do të bëjnë me produktet e tyre këtë vit.

Go to TOP