Shqipëri: Shënohet rritje e rasteve të proceduara për krime kibernetike dhe pornografi

Përdorimi i rrjeteve kompjuterike nga një masë e madhe, në Shqipëri ka bërë që të rriten edhe rastet kur po abuzohet me to.

Vitin e kaluar ka pasur rritje të rasteve të proceduara për krimin kibernetik dhe pornografinë.

Sipas të dhënave zyrtare të VKM për miratimin e rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit, të publikura në Fletoren Zyrtare, në 2023-tën rezultojnë 22.35% më shumë procedime penale për krim kibernetik.

Në vitin 2023 janë regjistruar 312 procedime, ndërsa në vitin 2022 ishin 225 raste  të tilla.

Lidhur me veprën penale të pornografisë, procedimet janë rritur pothuasje me 50 % në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, nga 34 në 51, raporton Tvklan.al.

Po ashtu rritje kanë pësuar edhe veprat penale për “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal.

Abuzimet më të mëdha po vihen re me rrjetet sociale, duke përfshirë edhe gjininë femërore. Por vitet e fundit nuk mungojnë rastet kur pre e tyre bien edhe të rinjtë.

Sa i përket rasteve të të rinjve, ekspertët thonë se ndodhin mes nxënësve të së njëjtës shkollë apo klasë, duke hapur faqe false për njëri-tjetrin pa e ditur se po përbëjnë vepër penale.

Go to TOP