Nazim Gagica kandidat i AAK-së për kryetar të Gjilanit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garës lokale për të parin e Gjilanit do t’i hyjë me Nazim Gagicën.

Në prezantimin e tij fjalën e mori edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili lavdëroi Gagicën, duke thënë se po kandidojnë personin që më shumë dekorata sesa rroga gjatë punës së tij në pozita publike.

“Vota e qytetarit të Gjilanit do t’i kthehet qytetarit të Gjilanit edhe në mënyrën si ua kanë kthyer drejtorët tonë”. Kemi kandidat për kryetar njeriun që ka kryer detyra ekzekutive në arsim, ekonomi, administratë dhe ka më shumë dekorata se sa rroga që ka marrë. Kandidati i Aleancës gjatë punës së tij nëpër sektorë të ndryshëm në qeverisjen komunale, është njohës i qeverisjes komunale, ka marrë dekorata nga vendorët dhe ndërkombëtarët më shumë se sa numrin e rrogave që e ka”.

“Vota juaj për Nazimin, vota juaj për listën tuaj që është një listë mjaft e respektueshme, është një votë e incestuar drejt që t’i kthehet qytetarëve tuaj pas 17 tetorit, por edhe është një votë që kurdo që vjen puna me qenë ne në vendimmarrje do e respektojmë Gjilanin ashtu si kemi bërë gjithë”.

Para gjilanasve, Haradinaj ka thënë se sa herë që ka shkuar në Gjilan është ndjerë i mirëpritur prej strukturës së Aleancës, prej njerëzve, prej familjeve atdhetare, prej intelektualëve, prej njerëzve të ekonomisë, sportit, të fesë.

“Kur isha kryetar Qeverie këtë dashuri njerzore, këtë ngrohtësi të juajën që e kam ndie çdo herë ta respektoj edhe me punë që i kemi kryer nga Qeveria edhe ju siguroj që disa projekte shumë të mëdha, shumë kapitale nuk ka qenë lehtë me i krye, me i vendosë dhe me i sjellë ato investime për Gjilan. Njëkohësisht edhe për krejt këtë trevë e po ashtu edhe disa vendime për prona që ia kemi alokuar komunës, të cilat kanë qenë shumë me mungesë për komunën. Pra, kemi bërë veprime që vërtet e iniciojnë jetën e juaj përveç atyre nacionale që krenohemi me to si Ushtria, Trepça, pavarësimi energjetik e plot punë tjera”.

Ai tha se këtë po e shpreh për shkak se edhe në të ardhmen Aleanca do të respektojë votën e gjilanasve dhe se vota e tyre nuk do jetë e humbur.

Haradinaj tregoi arsyet e tij pse ka interes të madh për Gjilanin e njëra ndër to është se Gjilani lidh me Preshevën, me Luginën, duke thënë se Gjilani duhet të jetë i zhvilluar në mënyrë që të mund të përkrahet Lugina dhe banorët e saj, ata që ruajnë vatrat e veta siç tha Haradinaj.

Gagica ka qenë drejtor i Administratës së Përgjithshme në Gjilan, udhëheqës i Kulturës në Drejtorinë për Kulturë në Gjilan, ligjërues në universitetin ‘Fama’, e po ashtu këshilltar komunal në Gjilan.

Aktualisht Gagica është Drejtor i Arsimit në Gjilan.

Go to TOP