Mustafa: Po të kisha shëndetin, më 7 gusht do të isha në Shesh për drejtësinë ndaj luftëtarëve të UÇK-së
Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar në prag të protestës së paralajmëruar më 7 gusht në mbështetje të krerëve të UÇK-së të gjykuar në Hagë duke bërë një thirrje për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe të rezistencës për liri.
Mustafa thekson se shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës paqësore të Presidentit Ibrahim Rugova dhe i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat i quan vlera të përbashkëta. Ai kujton se Kuvendi i Kosovës kishte themeluar Dhomat e Specializuara me besimin se drejtësia ndërkombëtare do të ndëshkonte individët që provohet se kanë kryer krime, e jo të njëjtët që kishin rol kyç në luftë dhe në shtetndërtim.
“Askujt s’do t’i shkonte mendja se bartësit kryesorë të luftës, me rol në Rambuje, në bisedimet në Vjenë dhe në shpalljen e pavarësisë, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale,” shkruan Mustafa duke theksuar se mbështetja për veteranët është kërkesë për drejtësi të mirëfilltë.
Ai kujton se me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin kishte qenë kundërshtar politik, por sipas tij, kur është në pyetje drejtësia dhe nderimi i luftës për çlirim, duhet solidaritet.
“Po ta kisha shëndetin, më 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh,” përfundon deklaratën Mustafa. /Kosova.info/
