Muharremi publikon grafikonin: Kosova me GDP më të ulët për kokë banori në krahasim me rajonin
Sipas njohësit të ekonomisë, Shenoll Muharremi, të dhënat tregojnë se të hyra vjetore për kokë banori në Kosovë janë 99% më të ulëta se ato në Mal të Zi. Kjo e bën Kosovën të ketë një nga gjendjet më të papërshtatshme ekonomike në rajon.
Sipas raporteve të Bankës Botërore, BPV për kokë banori në rajon është mesatarisht 8,967 dollarë, ndërsa në Kosovë kjo shifër arrin vetëm 6,142 dollarë, që përfaqëson 46% nën mesataren e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo gjithashtu do të thotë se të ardhurat në Kosovë janë 99.5% më të ulëta se ato të Malit të Zi, që ka vlerën më të lartë në rajon.
Kjo situatë nuk është e re; Kosova ka një bazë të ulët ekonomike dhe nuk ka investuar seriozisht në fuqizimin e sektorit privat. Bizneset përballen me taksa të larta pa marrë asnjë mbështetje për t’u forcuar dhe për t’u bërë më konkurruese. Potenciali ekonomik i Kosovës mbetet i patestuar.
Grafiku i prezantuar ilustron qartë raportin e Bankës Botërore dhe ofron një perspektivë tjetër për narrativin e qeverisë, e cila shpesh thekson rritjen e punësimit dhe suksese të tjera. Këtu del një pyetje thelbësore: “Nëse jemi kaq të suksesshëm në qeverisje dhe kaq të mençur e efikas, pse jemi kaq të varfër kur krahasohemi me fqinjët tanë?” Kjo pyetje është veçanërisht e rëndësishme, pasi nuk po e krahasojmë veten me vendet evropiane, por me ato të rajonit tonë.

