Muharremi: Më mirë të bojkotohet një parti politike sesa ekonomia vendore
Analisti Shenoll Muharremi ka vazhduar reagimin e tij kundër thirrjeve për bojkot të produkteve vendore duke e cilësuar këtë qasje si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj atyre që e mbajnë gjallë shtetin – prodhuesve dhe bizneseve të Kosovës.
“Nëse ka diçka për t’u bojkotuar, atëherë 100 herë më mirë është të bojkotohet një parti politike sesa ekonomia e vendit,” u shpreh Muharremi.
Ai theksoi se një subjekt politik që godet bizneset vendore është “modeli më i keq i mundshëm për vendin.”
Duke iu referuar dështimeve në qeverisje, Muharremi tha se këto nuk mund të fshihen pas retorikave nacionaliste të tejkaluara: “Dështimet në formimin e institucioneve publike nuk munden asnjëherë me u kamuflu me dogma nacionaliste që tashmë ju ka kalu koha.”
Ai përfundoi mesazhin e tij me një veprim simbolik e domethënës: “Tash menjëherë do të shkoj dhe të blej edhe më shumë produkte vendore!” – duke riafirmuar mbështetjen për ekonominë kosovare si rruga e vetme drejt zhvillimit dhe vetëqëndrueshmërisë. /Kosova.info/
