Muharremi kundër thirrjeve për bojkot: Bleni më shumë produkte vendore, jo më pak

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj thirrjeve për bojkot të disa produkteve vendore, duke bërë apel për mbështetje të shtuar për prodhimet e Kosovës. Në një postim të qartë dhe të drejtpërdrejtë, Muharremi theksoi se zgjidhja nuk është përjashtimi, por përkrahja e prodhuesve dhe bizneseve vendore.

“Jo bojkot, por blerje edhe më shumë e produkteve vendore! Qumësht kosovar, birrë kosovare, miell, qepë, vezë, ujë… gjithçka që shofim në rafte të marketeve,” shkroi ai.

Duke ironizuar një politikan që kishte bërë thirrje për bojkot të disa produkteve, Muharremi tha se “politikanët duhet me i ndru si pelenat e fëmijëve, sa më shpesh”, ndërsa prodhuesit dhe bizneset vendore duhen mbrojtur “si sytë e ballit”.

Ai ngre alarmin për gjendjen e ekonomisë duke përmendur një deficit tregtar prej mbi 5 miliardë euro në vit dhe ndikimin negativ të inflacionit, që sipas tij po shkatërron fuqinë blerëse, po shtyn migrimin dhe po zbraz vendin.

“Çmimi i rrymës është rritur tri herë, ndërsa disa po kanë fytyrë me u tallë me bizneset dhe ekonominë tonë,” shtoi ai duke theksuar se për të është e papranueshme që dikush të fyejë ekonominë vendore për përfitime politike.

Përfundimisht, Muharremi tha se nuk do të bojkotojë prodhuesit kosovarë, por politikanët që, sipas tij, e dëmtojnë zhvillimin dhe vetëdijen ekonomike të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP