Meta takon presidentin e Azerbajxhanit: Gazsjellësi TAP me rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë energjetike të Evropës

Në kuadër të vizitës në Baku, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u prit në një takim nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Në një postim në Facebook pas takimit, Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ekziston për forcimin e gjithanshëm të tyre në fushat me interes reciprok.

Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e dhënë nga Azerbajxhani, si dhe nga Presidenti Aliyev për ndërtimin dhe zbatimin e suksesshëm të gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) .

Ai theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që merr gazsjellësi TAP për sigurinë energjetike të Evropës, në kontekstin e zhvillimeve të fundit, si burim alternativ energjie.

Në këtë kuadër, të dy Presidentët vlerësuan nevojën jetike të fuqizimit të mëtejshëm të TAP, si dhe të zbatimit të shpejtë të projektit IAP (Gazsjellësi Adriatiko-Jonian), që do të sillte një impakt më të madh për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Në bisedë u nënvizua me shumë interes thellimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit, si dhe rritja e mëtejshme e shkëmbimeve midis dy vendeve.

Go to TOP