Mekuli: Nuk u ndalua komuniteti serb, por Lista Serbe – pse standard tjetër për Kosovën?”

Publicisti Gëzim Mekuli ka reaguar ndaj kritikave mbi ndalimin e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se ky vendim nuk përbën sulm ndaj demokracisë, por është mbrojtje e saj.

“Nuk është ndaluar komuniteti serb; është ndaluar një parti e vetme, Lista Serbe, që ka shërbyer si zgjatim i Beogradit dhe ka trashëgimi terroriste. Ky nuk është sulm mbi demokracinë, por mbrojtje e saj”, ka shkruar Mekuli, duke iu drejtuar ambasadorëve të akredituar në Kosovë.

Ai solli shembuj nga shtetet evropiane që kanë ndaluar parti politike me qëndrime antidemokratike ose lidhje me terrorizmin: Finlanda ndaloi partinë “Sinimusta Liike” si anti-demokratike dhe ka përjashtuar kandidatë për qëndrime pro-ruse; Spanja shpalli të paligjshme Batasunën për lidhjet me ETA, vendim i konfirmuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut; Gjermania aplikon mekanizmin e “demokracisë luftarake” për të ndaluar partitë që rrezikojnë rendin kushtetues dhe Moldova ndaloi disa parti pro-ruse që minonin stabilitetin.

Duke ngritur pyetjen “Atëherë, pse standard tjetër për Kosovën?”, Mekuli akuzoi disa diplomaci perëndimore se po i shërbejnë narrativës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç, në vend se të mbrojnë demokracinë dhe Kushtetutën e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP