Mehaj konfirmon ardhjen e dronëve kamikaz nga Turqia: Marrëveshjet u nënshkruan gjatë kohës sime si ministër

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka konfirmuar se dërgesat e fundit të dronëve kamikaz nga Turqia janë rezultat i marrëveshjeve shtet me shtet të nënshkruara gjatë kohës së tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Ai theksoi se këto marrëveshje janë realizuar me mbështetjen e Kryeministrit Albin Kurti dhe në përputhje me praktikat e NATO-s.

“Po, gjatë kohës kur isha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, kam nënshkruar marrëveshjet e para shtet me shtet, që kishin për qëllim furnizimin me kapacitete drona Bayraktar, dronë Puma, dronë kamikaz dhe shumë armatim tjetër,” tha Mehaj duke shtuar se marrëveshjet nuk ishin bërë publike menjëherë për arsye konfidencialiteti dhe sigurie operacionale.

Sipas tij, sistemi i marrëveshjeve shtet me shtet ka mundësuar që blerjet e armatimeve të bëhen në mënyrë transparente dhe të koordinuar duke i dhënë Kosovës mundësi për zhvillim të mëtejshëm të kapaciteteve strategjike ushtarake.

Në lidhje me reagimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për ardhjen e dronëve kamikaz në Kosovë, Mehaj i është përgjigjur ashpër:

“Dua t’i kujtoj Vuçiqit dhe çdo udhëheqësi tjetër serb se Kosova është shumë më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet. Paqja në Ballkan është e domosdoshme dhe kjo arrihet vetëm me respekt dhe bashkëpunim.”

Ai theksoi se Serbia duhet të shmangë retorikën luftënxitëse dhe të shkëputet përfundimisht nga politika e ish-diktatorit Millosheviç.

Në fund, Mehaj paralajmëroi se do të ketë edhe marrëveshje të tjera që do të publikohen më vonë duke theksuar se Kosova tashmë po zotëron armatim që “as në ëndërr nuk e kemi parë më parë”.

“Kosova dhe atdheu mbi të gjitha,” përfundoi ish-ministri Mehaj. /Kosova.info/


Go to TOP